Tym e flakë! Protestuesit djegin dhe rrëzojnë bredhin e Rilindjes

Qytetarët që kanë dalë në protestë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha kanë djegur pemën e Krishtlindjeve që ndodhet para zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Protesta masive që nisi para godinës së Ministrisë së Brendshme është zhvendosur para Kryeministrisë. Megjithë shiun e rrëmbyeshëm mijëra qytetarë kanë dalë në tubim për të kërkuar drejtësi për vrasjen nga policia të 25-vjeçarit, Klodian Rasha. Qytetarët kërkojnë drejtësi dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ndërkohë në tubimin te Ministria e Brendshme pati përplasje me Policinë gjatë momentit që qytetarët tentuan të hyjnë në godinën e ministrisë.  Një gazetar ka mbetur i plagosur gjatë përplasjeve.  Andi Llabuti, gazetar i JOQ, është gjakosur nga përplasja me policinë. I lënduar ka mbetur dhe këngëtari Arkimed Lushaj (Stresi), si dhe një punonjës i policisë.

Protestat për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie në Tiranë janë shtrirë në të gjithë vendin.

Paralelisht me kryeqytetin, protestë u mbajt edhe në Durrës. Qytetarë të shumtë me pankarta në duar u mblodhën para prokurorisë dhe Policisë së Durrësit ku edhe ndezën qirinj në kujtim të 25 vjeçarit.

Vala e protesta nisi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Më herët protesta u mbajtën para Policisë në Kukës dhe Elbasan. Përmes pankartava ata kërkuan dorëheqjen e minisrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe zbardhjen e vrasjes së të riut.

SHKARKO APP