U dëmtua nga zjarri 5 vite më parë, katedralja e Notre-Dame përurohet sot. Mes të ftuarve edhe kryeministri Rama
Katedralja e Parisit, Notre-Dame, përurohet sot pas 5 vitesh punë të rëndësishme rindërtimi dhe restaurimi për dëmet e shkaktuara nga zjarri shkatërrues i prillit 2019. Të pranishëm në ceremoni do të jenë lider të rëndësishëm botërorë, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama me ftesë të Presidentit Macron.
Hapja e katedrales do të bëhet në mot të pafavorshëm, aq sa të gjitha festimet janë zhvendosur brenda kishës. Rihapja e katedrales Notre-Dame është kthyer në një ngjarje me shtrirje ndërkombëtare, duke përfshirë diplomacinë, muzikën, kinemanë, në një kryeqytet të blinduar për ngjarjen e vitit pas Olimpiadës.
Një program shumë intensiv që sheh Presidentin Emmanuel Macron në një klimë të errësuar nga kriza politike pas rënies së qeverisë Barnier dhe urgjenca e emërimit të një kryeministri të ri.
Në ceremoni do të marrë pjesë edhe presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump. Kjo është vizita e parë e tij jashtë SHBA që pas zgjedhjes si president. Macron ka ftuar gjithashtu liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky të admirojë katedralen “e re” të rindërtuar pas zjarrit. Nga Kievi bëhet e qartë se një takim midis Zelensky dhe Trump “është i mundur”.
Përveç Trump dhe Zelensky, rreth dyzet krerë shtetesh dhe qeverish do të marrin pjesë në rihapjen e katedrales sot, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin Sergio Mattarella, apo edhe Princi William. E pranishme nuk do të jetë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Axhenda
Festimet fillojnë rreth orës 19:00 me shfaqjen e një filmi për katedralen. Në platformën e lartë pranë katedrales do të ngrihet një zonë që mund të strehojë maksimumi 40 mijë njerëz. Në total, 6000 oficerë policie dhe xhandarë do të mobilizohen për të garantuar sigurinë.
Ceremonia me 2500 të ftuar përfshin një fjalim të Macron në orën 19:20, i cili duhej të fliste në oborrin e kishës, por që për shkak të motit të keq fjalimi do të mbahet brenda.
Dyert e katedrales do hapen në 20.15 dhe pas shërbesës fetare që do të zgjasë rreth 45 minuta, do të ketë një koncert të madh në shesh, i cili do të zgjasë nga ora 2.15 deri në 2.30 të mëngjesit.
Nga nesër mesha dhe ceremonitë fetare do të rifillojnë normalisht. Madje, katedralja do të jetë e hapur deri në orën 22:00 gjatë javës së parë, me akses dhe rezervime falas në një platformë online.