U hodh në detin e trazuar dhe u bë hero për të miturit, politikanët nderojnë aktin e 18-vjeçarit
Anri Kashiku preu në mes jetën e tij, dhe u hodh në detin e trazuar për të shpëtuar jetën e të tjerëve, me një akt të jashtëzakonshëm. Me sakrificën e tij sublime shpëtoi sot dy jetë për t’u përjetësuar në memorien tonë si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për jetën dhe vlerave më të larta humane. Politikanët në vend kanë shprehur ngushëllimet për këtë ngjarje kaq tragjike, si edhe vlerësojnë humanizmin dhe aktin vetëmohues të të riut.
Presidenti Ilir Meta-ANRI KASHIKU, HEROI YNË! Mirënjohje dhe respektin më të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm që me sakrificën e tij sublime shpëtoi sot dy jetë për t’u përjetësuar në memorien tonë si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për jetën dhe vlerave më të larta humane. Ngushëllimet më të ndjera familjes.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla-Anri Kashiku, djali që dha jetën për të shpëtuar dy jetë, vëllain e tij të vogël 15-vjeçar, Ersianin, dhe shokun e tij, meriton respektin, nderimin dhe mirënjohjen e të gjithë shoqërisë. Përkushtimi dhe heroizmi deri në vetmohim e bëri Anrin nga një njeri të thjeshtë, në një qytetar simbol. Ngushëllime familjes për humbjen e Anrit! Mirënjohje, që rriti një hero!
Kryetari i PD, Sali Berisha-Një hero i vërtetë! Miq, i riu 18-vjeçar, Anri Kashiku, si një hero i vërtetë, shpëtoi sot dy jetë, por vetë mbeti në ujrat e Adriatikut, për t’u bërë i pavdekshëm me veprën e tij. Duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Kashiku për këtë humbje të pakompensueshme, i lutemi Zotit që shpirti i bardhë i Anrit shpëtimtar të gjejë paqen e merituar. Amin!
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi-E paimagjinueshme dhembja për familjen Kashiku, e cila do të jetojë përgjithmonë me kujtimin e Anrit dhe largimin e tij tragjik nga kjo jetë! Sot në një akt heroik, Anri u hodh në ujrat e Adriatikut për t’i marrë nga duart vdekjes, jetët e vëllait të vogël dhe shokut të tij, por pa ia dalë të shpëtojë vetë nga pabesia e ujërave të trazuar! Anri bëri gjithçka mundi për të treguar sa e fortë është ndjenja e sakrificës kur bëhet fjalë për gjakun tënd dhe për dikë që ka nevojë për ndihmë! Pa dashur të hyj në përgjegjësi autoritetesh pasi ngjarja është tragjike, dua t’i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Kashiku! Zoti ju dhëntë forcë, ëngjëlli dhe heroi juaj tani ju sheh nga lart!
Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi-Anri Kashiku iku nga kjo jetë duke shpëtuar dy jetë të tjera në Adriatikun e trazuar sotmi. E mposhti detin dy herë me vetëmohim. Të ndritë shpirti, Anri! Ngushëllime familjes Kashiku për humbjen e birit të tyre hero! Propozoj publikisht që zona e plazhit ku ndodhi ngjarja të marrë emrin e Anri Kashikut. Heroizmi i tij të derdhet në bronz e kështu të tregojmë se në këtë vend ka respekt për jetën dhe njeriun. Shteti pa rojtar plazhi të mbulojë shpenzimet e varrimit! I paharruar Anri Kashiku!
Ngjarja
I riu humbi jetën këtë të enjte, pasi u mbyt në plazhin e Durrësit. 18-vjeçari hyri në det për të shpëtuar vëllain dhe shokun e tij, të dy 15-vjeçarë, por pasi i shpëtoi ata, ai nuk mundi dot të dalë nga deti, duke u kthyer në një hero.
Vëllai i 18-vjeçarit dhe shoku i tij, rreth orës 13:30 ishin në rrezik që të mbyteshin teksa laheshin në sektorin ”Rinia”, si pasojë e detit me dallgë. Në ndihmë të tyre është futur 18-vjeçari. Trupi i tij i pajetë u gjet pas disa orësh kërkimesh.
Kullat e vrojtimit janë, por mungojnë rojet bregdetare. Një biznes e ka për detyrë pajisjen me rojet bregdetare, por që nuk zbatohet nga pjesa më e madhe e tyre. I riu sa ishte kthyer nga Anglia dhe ishte angazhuar me ekipin e Teutës si futbollist.