U përfol si kreu i ri i Shkencës, Marku për projektligjin: E shoh si lapsus, as Bashkimi Europian nuk e pranon
Projektligji për shkencën dhe kërkimin shkencor ishte një draft i beftë për Universitetet. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku i cili edhe u përfol si kreu i ri i Shkencës, tha se ligji shkel hapur autonominë e univeristeteve për kërkimin shkencor. Ai fuqizon Akademinë e Shkencave për të kontrolluar shkollat e larta.
Duke shpresuar se është thjesht një lapsus i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dekani i Fakultetit Filologjik propozon bllokimin e projektligjit. Sipas profesor Mark Markut, nevojitet hartimi i një drafti të ri që realisht do t’u nevojitet universiteteve, por edhe plotësimit të standarteve të Bashkimit Europian. “Nëse ky draft miratohet, nuk do të kalojë vlerësimin e Bashkimit Europian”, theksoi Marku në ”A2cnn”.
Dekani i fakultetit ka edhe një qëndrim në lidhje me krijimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës, i cili ka shumicë politike dhe drejtohet nga kryeministri. Si ish-përfaqësues i opozitës, profesori i gazetarisë, sot dekan i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, thotë se mungesa e demokratëve në Komisionin e Edukimit gjatë diskutimeve për projektligjin e shkencës i dëmtoi Universitetet.