Udhëtim me charter në Paris, Paloka: Duhet të kesh surratin e paturp, arrogancën dhe mungesën e çdo ndjesie njerëzore si Rama

Fotomontazh i publikuar nga nënkryetari i PD-së, Edi Paloka

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar ashpër lidhur me udhëtimin e kryeministrit Edi Rama në Paris.

Përmes rrjeteve sociale, Paloka shprehet se duhet të kesh surratin e paturp, arrogancën dhe mungesën e çdo ndjesie njerëzore si Rama që të kuptosh se si mundet kryeministri i një vendi që po shkon drejt falimentimit, në kulmin e fatkeqësisë dhe krizave, merr charterin dhe shkon për t’u zdërhallur për fundjavë në Paris.

“Duhet të kesh surratin e paturp, arrogancën dhe mungesën e çdo ndjesie njerëzore si Rama që të kuptosh se si mundet kryeministri i një vendi që po shkon drejt falimentimit, në kulmin e fatkeqësisë dhe krizave, merr charterin dhe shkon për t’u zdërhallur për fundjavë në Paris!!!

Jo vetëm kaq, po si në çdo rast kur kapet në skandal, pasi tenton të justifikohet duke mashtruar, merr guximin të sulmojë ata që e denoncojnë; kryesisht opozitën dhe mediat opozitare!

Qytetarët më të varfër të Evropës, ende nuk kanë marrë përgjigje se përse kryeministri i tyre, ai që i ka izoluar e privuar nga të drejtat elementare prej tre muajsh, ndërmerr një udhëtim me charter për të kaluar fundjavën në Paris?!

Megjithëse skandali ka marrë dhenë, nuk ka asnjë përgjigje, vetëm tallje me qytetarët dhe sulme palaçosh ndaj opozitës!

“Kemi marrëveshje të posaçme me Air Albania për arsye pune, pa qellim fitimi”(?!?!) Kjo është “përgjigja” pa përgjigje.

Çdo të thotë kjo?! Që Rama në kohë pandemie dhe fundjavë paska vajtur për punë në Paris?!!

Po atëherë thuajini shqiptarëve, për çfarë pune? Kë takoi?

Mbase kryeministri ka vajtur të zgjidhë hallet e popullit dhe ne i biem në qafe kot…! Sipas Bankës Botërore varfëria në Shqipëri pas pandemisë do arrijë në 48%! Mbase ka vajtur “të na shpëtojë” dhe këtë herë!

Nuk është për herë të parë që kur shqiptarët janë në pikë të hallit, Rama merr charter e bredh nëpër botë për qejfet e tij, herë për të hapur ekspozita e herë edhe vetëm për një foto me Cristiano Ronaldon.

Na thoni, për çfarë fluturoi këtë herë? Sigurisht jo për hallet e shqiptarëve!”, shprehet në reagimin e tij, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

SHKARKO APP