Ujësjellësi i ri i Belshit/ Gjiknuri: Krenar për investimet, do përmirësojnë jetën e qytetarëve

Pas 50 vitesh, Belshi do të ketë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, përmes një rrjeti modern dhe të standardeve më të larta të infrastrukturës. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan bashkë me kryetarin e Bashkisë Belsh, Arif Tafani, inspektuan punimet që po realizohen për ndërtimin e ujësjellësit. Për herë të parë, në këtë ujësjellës po pilotohet funksionimi i tij përmes autoprodhimit të energjisë elektrike duke reduktuar në këtë mënyrë kostot.

Gjiknuri u shpreh se falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor, ky investim zgjidh një nga kërkesat e komunitetit.

“Jemi në fazën përfundimtare të punimeve për zhvillimin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkinë e Belshit. Një projekt që ka një total investimi rreth 10 milion euro dhe shumë risi siç është edhe përfshirja e paneleve fotovoltaikë për uljen e konsumit të energjisë. Një provë e qartë që Bashkia e Belshit nuk është vetëm një Bashki që u transformua nëpërmjet fytyrës urbane dhe është një nga pikat më të frekuentuara, por tashmë do ketë dhe një infrastrukturë shumë funksionale. Mbulohet gati mbi 70% e popullatës së Bashkisë. Kjo është një arritje e madhe dhe është bërë falë bashkëpunimit të mirë të Bashkisë me qeverinë shqiptare”.

Po ashtu Gjiknuri nënvizoi se investimet në këtë zonë do të vijojnë, ndërsa falënderoi për bashkëpunimin dhe pushtetin vendor. Investimet në Bashkinë e Belshit po e kthejnë gjithë zonën në një hapësirë turistike dhe agroturistike.

SHKARKO APP