”Ukraina në 10 orë”, çelet në Prishtinë ekspozita me fotografi e Ben Blushit
”Ukraina në 10 orë”, është emëruar ekspozita me fotografi të shkrimtarit Ben Blushi, që është çelur në Prishtinë. Puna e Blushit si fotograf, edhe pse ai thotë se është ende një amator, u vlerësua shumë nga profesionistët e të pranishmit. Sipas tyre, këto imazhe kanë rëndësi historike dhe janë në dobi të Kosovës, por duhet të jenë edhe mësim për të.
“Kjo ekspozitë është shumë eksplozive, shumë unike sepse nuk ma merr mendja që dikush në botë, në këtë minutë, në mesin e 8 miliardë njerëzve ka bërë ndonjë ekspozitë për situatën aktuale në Ukrainë”,-tha fotografi Burim Myftiu.
“Vetë ekspozita flet se sa shumë mund të bëhet përmes një kamere të vogël sepse vetëm 10 orë mjaftojnë ndonjëherë për të përjetuar atë çfarë ndodh atje përditë, sot e sa kohë”,-tha fotografja Eliza Hoxha. “Kjo ekspozitë është tepër interesante sidomos për shqiptarët e Kosovës”,-shtoi gazetari Milaim Zeka.
“Jam shumë i kënaqur që po e shoh këtë ekspozitë. Fotografitë flasin me audiencën. Edhe pse janë bërë shumë shpejt për një kohë të shkurtër, ato janë shumë mbreslënëse. Dua të nënvizoj se sa e rëndësishme është të mbështetet Ukraina sepse kjo nuk është luftë vetëm për Ukrainën, por për gjithë Europën”,-tha tha Tomáš Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Të nderuar me atë që u paraqit me këtë ekspozitë ishin edhe ata që e bënë të mundur realizimin e saj në kryeqendrën kosovare.
“Në kohën e luftës ju keni shkrepur ato vuajtje, atë rezistencë të këtij populli të pamposhtur, prandaj ka shumë gjëra të përbashkëta që Kosova dhe Ukraina ndajnë në këto momente”,-u shpreh Qemal Minxhozi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë.
“Mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe të këtij populli liridashës, i cili nuk stopon së luftuari dhe së kërkuari pavarësinë nga okupatori”,-shtoi Eridana Çano nga Qendra për Hapje dhe Dialog. Vetë autori i këtyre fotografive, pasi rrëfeu përjetimet gjatë udhëtimit në Ukrainë, tregoi arsyet pse e solli punën e tij në Prishtinë.
“Ju e kuptoni më mirë se kushdo se si është të dhunohesh nga një ushtri e huaj. Po s’është vetëm kjo arsyeja pse doja të vija në Prishtinë. Është edhe fakti që Ukraina, ne nuk e dimë çfarë drejtimi do të marrë ai konflikt, shpresoj që të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe Rusia të tërhiqet aty ku i takon, por impakti i luftës në Ukrainë mund të ketë efekt edhe në vendet tona, sidomos në Kosovë. Kosova ndoshta është territori europian që mund të trazohet më kollaj nga dallga ruse në Ukrainë”,-tha autori Ben Blushi.
Ai shtoi se e gjeti Prishtinën dhe Kosovën të vetmuar kur erdhi këtë herë, prandaj pati një këshillë për qytetarët në të dyja anët e kufirit. “Jeni shumë vetëm. 2 milionë banorë këtu, gjysma po ikin, edhe nga Shqipëria shumë po ikin. E vetmja rrugë, për të dy palët është të bashkohemi”. Ekspozita me fotografi e Ben Blushit, “Ukraina në 10 orë” do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor. /Euronews Albania/