Ultimatumi i PD për Qeverinë: Ulni taksat, ose populli del në rrugë
Pas deklaratave të zakonshme për protesta është shtuar doza e kërcënimeve nga Partia Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha tha dje se vendi është në situatë të ngjashme me vitin 1997! Ndërsa sot Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht edhe Nënkryetar i PD-së, Edmond Spaho, lëshoi një deklaratë të ngjashme ultimatum ndaj qeverisë “Rama”. Spaho tha se qeveria duhet të miratojë dy propozimet e PD për ulje taksash, në të kundërt “Qytetarët do të marrin vetë në duar të ardhmen e tyre, do të mbrojnë familjet dhe vendin nga kursi i pandalshëm shkatërrimtar i Edi Ramës”. Ndërsa shtoi se PD-ja do të jetë në krye të protestave më masive që janë parë ndonjë herë.
Propozimet e PD për taksat janë dorëzuar sot në Kuvend dhe kërkojnë uljen e tyre. Në bazë të logjikës së votave në Kuvend, mazhoranca nuk ka gjasë që ti miratojë. Ajo që mbetet të shihet është se çfarë ka parasysh PD-ja kur thotë se populli do të marrë në dorë të ardhmen e vet, pasi si rregull populli vendos për të ardhmen sa herë që ka zgjedhje.
Deklarata e Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht edhe Nënkryetar i PD-së, Edmond Spaho
“Partia Demokratike sapo dorëzoi në Kuvend, dy projektligje që synojnë uljen e cmimit të naftës dhe uljen e cmimit të energjisë. Nga sot, Edi Rama, ka në dorë mundësinë për të miratuar këto projektligje, për t’u shërbyer qytetarëve të vendit, duke hequr taksën e qarkullimit, e duke ulur TVSH-në për energjinë elektrike me masën 14 përqind. Deri më sot, Edi Rama ka bërë zgjedhjen e kundërt, ka rritur taksën e qarkullimit në mënyrë të përsëritur, duke bërë që karburanti sot të paguhet nga shqiptarët shumë shtrenjtë, duke i ndaluar ata që të përfitojnë nga ulja e madhe e çmimit të naftës kudo në rajon, në europë e në botë.
Deri më sot, Edi Rama ka bërë zgjedhjen e kundërt, ka rritur cmimin e energjisë me 25 përqind, ndërkohë që erdhi në pushtet duke premtuar ulje drastike të faturës, me reduktimin e TVSH-së. Sot, ai ka në tryezë dy projektligje që do të bënin të mundur kthimin e normalitetit në vend, uljen e cmimit të naftës dhe të energjisë për ekonominë dhe familjet. Nisma e Partisë Demokratike, është materializimi i kërkesës së përditshme të qytetarëve, të cilët po vuajnë papunësinë dhe varfërinë më ekstreme të 20 viteve të fundit, për shkak të politikave dhe taksave të Edi Ramës. Nëse Edi Rama nuk i miraton këto dy iniciativa, ai thjesht do të konfirmojë edhe një herë se ka humbur cdo kontakt me realitetin, ka braktisur popullin e këtij vendi, dhe është aty thjesht për interesat e tij dhe të klientelës qe e rrethon. Qeveria duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë. Në të kundërt, qytetarët do të marrin vetë në duar të ardhmen e tyre, do të mbrojnë familjet dhe vendin nga kursi i pandalshëm shkatërrimtar i Edi Ramës. Dhe ne do të jemi në ballë të protestave me masive që ka njohur ndonjëherë vendi”.
KOHA JONË SONDAZH

