Unaza e Re, Basha takohet me banorët: Jam i tronditur
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është takuar me banorët e ”Unazës së Re”, të cilëve do t’u shemben shtëpitë dhe bizneset në kuadrin e projektit për zgjerimin e rrugës. 317 godina do të shemben.
Banorët protestojnë prej ditësh për shembjet e banesave dhe bizneseve të tyre. Sipas njoftimit të PD, Basha po takohet me protestuesit pas kërkesës së tyre.
Basha deklaroi se qeveria duhet t’i dëmshpërblejë në masën 100% banorët.
Më tej kryedemokrati tha se është i tronditur dhe i shokuar, pasi 400 familjeve po u prishen banesat.
“Para se të flas unë dua tju them se prania juaj këtu është e domosdoshme, pasi është fati i 300 familjeve që e keqja u ka trokitur në derë.
E kam ndjekur këtë çështje që nga minuta e parë. Jam ndjerë i tronditur dhe i shkuar nga ajo që kam parë. U ballafaqova me dramën e këtyre familjeve dhe të mijëra shqiptarëve që po vendosen në një presion psikologjik.
Asgjë nuk respektohet, pasi Edi Rama dhe Veliaj kanë një projekt bashkë me një grup oligarkësh dhe bandash që duan të pastrojnë paratë e drogës.
Shkelin ligjin dhe Kushtetutën për të shkatërruar shtëpitë. Një pjesë e tyre të legalizuara dhe një pjesë në proces.
Kjo është dëshmia më e qartë se ku ka përfunduar Shqipëria. Sa e rrezikshme është kjo bandë e kam paralajmëruar.
Mos prisni që t’u vijë e keqja në pragun e shtëpisë tuaj, por ejani këtu. Mbroni ligjin, Kushtetutën. Në këtë skandal s’ka asgjë të ligjshme.
Shteti ka shkelur ligjin, kryeministri ka shkelur ligjin. E vetmja gjë e ligjshme këtu është rezistenca e këtyre banorëve.
Shkelja e ligjit është tipar i kësaj qeverie. Ky është mesazhi i PD. PD ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të tyre me këshilltarë dhe deputetë. Do qëndrojmë pro kauzës së këtyre banorëve”, përfundoi Basha