Unifikohen shoqatat e Bashkive/ Veliaj: Tirana Kryeqytet Europian i Rinisë, një mundësi për të promovuar të rinjtë e çdo qyteti shqiptar
Shoqata për Autonominë Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë janë unifikuar me një vendim unanim të të gjithë kryetarëve të bashkive të mbledhur ditën e sotme nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai e quajti mjaft të rëndësishëm këtë hap, që i hap rrugën prezantimit të përbashkët në një organizëm të 61 bashkive të vendit.
“Është vërtet muzikë për veshët e mi që, më në fund, kemi mbërritur në një ditë ku po sillemi si çdo vend tjetër europian. Kemi qenë të përçarë prej kohësh, ta pranojmë! Në fakt, shoqatat, përveç emrave formalë, kanë qenë një shoqatë e të majtëve dhe një e të djathtëve, por sot më vjen mirë që, për herë të parë, kemi edhe një përfaqësi nga Shkodra, të vetmen përfaqësi të zgjedhur, që është kryetarja e Këshillit. Megjithatë, kjo është diçka ‘ad hoc’ dhe duhet ta bëjmë të qëndrueshme. Po sikur të ndodhë që njëra nga shoqatat, siç po ndodh me krahun e opozitës, ndahet edhe mes vedit, si skenat që pamë tek SHQUP-i, pastaj këtë sjellje qesharake do duhet ta eksportojmë kudo në botë?! Apo më mirë i mbajmë si incidente të izoluara këtu brenda Shqipërisë çudirat shqiptare të partive dhe lojërat ‘kala dibrançe’ – “kush merr ndërtesat” – dhe të paktën jashtë jemi të unifikuar, si një trupë serioze njerëzish të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, që menaxhojnë 61 bashki, sot shumë herë më të konsoliduara…?”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se me unifikimin e sotëm, edhe vendimet do të jenë më të lehta. “Ky unifikim vërtet është kthyer në një punë më të vështirë për kryetarin e njësisë vendore, ama vendimet merren më kollaj. Vendos një njeri dhe nuk kemi cic-mice mes bashkive kush bën një urë, dhe nga një anë e lumit është e majta nga ana tjetër e djathta, kurse ura nuk bëhej kurrë. Sot këto vendime merren dhe ecet përpara. Sot ishte vetëm një vendimmarrje politike unanime për të bërë këtë unifikim. Do të propozojmë që të caktojmë një grup pune të përbërë nga dy drejtorët tanë ekzekutivë dhe në një periudhë jo më të gjatë sesa 30 ditë, të kemi zgjidhje teknike të cilën pastaj do të duhet ta reflektojmë në gjykatë,” shpjegoi Veliaj.
Në fund, Veliaj ftoi të gjithë kryetarët e bashkive t’i bashkohen aktiviteteve të Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë. “Me Tiranën Kryeqytet Europian të Rinisë na është dhënë një mundësi e madhe, një privilegj! Jemi kombi më i ri sot në Europë. Do të doja shumë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi fantastike për të promovuar djem dhe vajza, të rinj dhe të reja të shkëlqyer, që jam i sigurt që i ka çdo komunitet. Deri më datën 28 Janar kemi bërë një thirrje për projekte që jemi gati t’i financojmë. Tirana duhet t’u shërbejë si një sfidë për të promovuar çunat dhe gocat më të mirë të komunitetit,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.