Urimi i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha (video)
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha uron Vitin e Ri 2025. Pas disa muaj në detyrë, ku spikati lufta ndaj krimit dhe sidomos atij të organizuar, ministri Hoxha, ka të drejtë të krenohet pasi, deri më tani, mbetet një nga ministrat me korrekt me ligjin. Ministri kreu një varg reformash dhe ndryshimesh drastike në kupolën e Policisë së Shtetit, duke filluar pikësëpari me emërimin e Ilir Prodës, si numri një i policisë së shtetit. Por jo vetëm kaq, ndryshoi drejtuesit e qarqeve dhe komisariatëve me synimin futjen e elementit të ri dhe të pa akuzuar nga politika.
Prova gjenerale për ministrin Hoxha dhe drejtorin e përgjithshëm, mbeten zgjedhjet parlamentare.
Ndërkohë policia e shtetit me anë të Ilir Prodës, drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit, ka uruar gjithë punonjësit e policisë.
Ja se çfarë shkruhet në urimin e tij:
“Gëzuar Vitin e Ri 2025!
Çdo fundvit, dollia e mijëra punonjësve të Policisë në shërbim në të gjithë vendin është përshëndetja e ngrohtë për qytetarët që festojnë me familjet dhe miqtë, ndërsa dhurata mbetet besimi i tyre te ky angazhim i përditshëm dhe sakrifikues. Ky besim, së bashku me kontributin e tyre, janë dy shtylla të rëndësishme për përmbushjen e misionit tonë.
Momentet përmbyllëse të vitit janë gjithashtu për bilance, zotime dhe urime. Për Policinë e Shtetit, viti 2024 shënoi hapa të rinj në luftën e vështirë kundër krimit, konsolidoi urat ekzistuese të bashkëpunimit me qytetarët dhe partnerët, si dhe ndërtoi ura të reja mundësish, aftësish dhe eksperiencash. Këto arritje përbëjnë bazën e zotimeve tona për rezultate edhe më pozitive, për më shumë rend dhe siguri.
Sfida të tjera të mëdha na presin gjatë vitit 2025, që kërkojnë përkushtim edhe më të madh, aftësi të përmirësuara dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët dhe partnerët tanë. Jemi të vendosur që çdo sfidë ta kthejmë në mundësi për të mirën e qytetarëve dhe sundimit të ligjit. Krijimi i një ambienti sa më të sigurt mbetet prioriteti ynë më i madh.
Në vigjilje të ndërrimit të viteve, Policia e Shtetit shpreh mirënjohje për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe oponencën e qytetarëve dhe të medias, elemente që kanë ndikuar në përmirësimin e punës sonë, dhe ju uron një vit të ri të mbarë e të begatë për çdo familje.
Gëzuar Vitin e Ri 2025, me më shumë bashkëpunim dhe besim për të mirën e përbashkët!
Gëzuar!