Urimi i Ramës për ditëlindjen e Filip Çakulit: Humori i tij, thikë me 40 presa

Nga Edi Rama –

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
FILIP ÇAKULLI është një prej talenteve të spikatur të shoqërisë shqiptare, që tek humori gjeti kamerdaren e shpëtimit në detin e ferrit të diktaturës së proletariatit, ku kush nuk ngjeshej fort në kominoshen e Njeriut të Ri brenda Titanikut komunist, mund të mbytej sa hap e mbyll sytë nën goditjen e dallgëve të pamëshirshme.
Me atë kamerdare Filipi erdhi vërdallë rrotull Titanikut, herë u zhyt si polumbar, herë u ngjit marinar e herë u përvodh si peshkatar, herë u pa si shpëtimtar e herë u duk si notar, në një karrierë ku nga afër ai i ngjante kapitenerisë si shërbëtor i popullit e nga pak më larg i përngjante si gjarpër në gji, derisa Titaniku u mbyt dhe Filipi doli pa lagur në bregun e lirisë. I rrahur me vaj e me uthull, i lexuar e i papërtuar, po mbi të gjitha mjaftueshëm i aftë për të mos e marrë veten aq seriozisht sa për t’u ngjeshur fort në kominoshen e re të demokracisë dhe mjaftueshëm i regjur sa për të mos e mbajtur kamerdaren e vjetër si të vetmin mjet të pandashëm prej vetes, Filip Çakulli u përfshi në Lëvizjen Demokratike, në Rilindjen Demokratike, në Partinë Demokratike, po mbeti njësoj i dyzuar e i dyshuar.
Fati e desh që kamerdarja e tij të ngecte një ditë në gjirin e Top Channel-it dhe më në fund këmbët gjithnjë në ujë të Filipit të puthnin Tokën e Premtuar të dikujt si ai, që as e kupton e as e jeton dot jetën pa humorin si artin e komunikimit me të tjerët e të ndërveprimit me shoqërinë. Aty lindi nën komandën e Filip Çakullit edhe njësiti më subversiv i revolucionit kopernikan të Tanit të Topit në botën e medias shqiptare, “FIKS FARE”, i cili solli një nga ndryshimet më mbresëlënëse në historinë e humorit shqip, duke e kthyer humorin në një thikë jo me dy, po me dyzet presa!
Sot që Filip Çakulli mbush nuk ka rëndësi se sa shumë vjeç, më kujtohet hera e parë kur e kam hasur fytyrën e tij dykuptimshe, në Lushnjë, në dritaren e apartamentit të vogël të poetit Bujar Xhaferri, ku babai i ardhshëm i “FIKS FARE”-s, futi kokën dhe tha, të rrojë Partia!
Të rrosh sa malet Filip, bashkë me partinë natyrisht!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?