Ursula von der Leyen rizgjidhet presidente e KE, Basha: Si shqiptarë ndihemi pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka uruar Ursula von der Leyen për zgjedhjen për herë të dytë në krye të Komisionit Europian. Basha shkruan shqiptarët ndihen pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash. Për të udhëheqja e fortë, vizioni dhe vendosmëria e saj janë përbërës që nevojiten për të çuar përpara familjen evropiane.

“Urime Ursula Von Der Leyen për këtë mandat të dytë të merituar. Udhëheqja e fortë, vizioni dhe vendosmëria e saj janë përbërës që nevojiten për të çuar përpara familjen evropiane me bindje dhe besim në momente vendimtare për të ardhmen e kontinentit dhe botës. Vlerat që qëndrojnë në themel të familjes së madhe PPE janë busulla që e mban këtë Union të madh dhe të bashkuar në rrugën e duhur. Ne si shqiptarë ndihemi pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash dhe do të bëjmë gjithçka për t’u bërë pjesë e saj, me besim se do të gjejmë mentorin dhe avokatin e duhur në udhëheqjen e Von Der Leyen dhe PPE”, shkruan ai.

Ursula von der Leyen siguroi një mandat të ri 5-vjecar, si president e Komisionit Europian, pas një votimi të fshehtë të eurodeputetëve. 65-vjeçarja siguroi mbështetjen e 401 pjesëtarë të parlamentit, gjatë votimit në Strasburg, 41 më shumë nga sa i nevojiteshin. Në një fjalim para eurodeputetëve në prag të votimit, ajo shpalosi prioritetet për mandatin e ardhshëm, mes tyre edhe zgjerimin e bllokut. Ajo tha një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës peshë më të madhe në skenën globale. Ursula von der Leyen përsëriti se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së. Von der Leyen ka premtuar se pas rizgjedhjes do ta emërojë një komisioner të përkushtuar për të çuar përpara procesin e zgjerimit.

SHKARKO APP