“Ushtarët me shqiponjën”, Neo Demokracia: Të hetohet nëse fenomeni është nxitur nga forcat të organizuara
Çështja e rekrutëve ushtarakë me origjinë shqiptare që formojnë shqiponjën dykrenore brenda kampit ushtarak, ka mbërritur edhe në Parlamentin grek.
Nënkryetari i partisë më të madhe në opozitës, nga Demokracia e Re, Adonis Georgiadis i është drejtuar të martën (24 janar) tre institucioneve për të dhënë sqarime, përkatësisht ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë si dhe ministrit të Drejtave të Njeriut, duke kërkuar nga ata nxjerrjen e përgjegjësive administrative dhe penale për rastin.
Georgiadis kërkon që të hetohet nëse veprimi i rekrutëve është i nxitur nga forca të organizuara, të cilat mund të cenojnë paqen e brendshme dhe integritetin territorial.
“Gjesti i ushtarëve të rinj në foto që krijojnë shqiponjën dy krenare shqiptare me duart e tyre, është një praktikë që ne si shtet duhet ta hetojmë thellë, në kërkim paralelisht të përgjegjësive administrative dhe kriminale. Trajtimi i përkorë dhe i matur i kësaj çështjeje është i domosdoshëm dhe ministritë duhet të hetojnë nëse fenomeni është nxitur nga forcat të organizuara, të cilat përpiqen të cenojnë sigurinë dhe integritetin tonë territorial”, thuhet në letër.
Në letër thuhet gjithashtu se rasti është i përsëritur ndërsa ilustrohet me ndalimin e dy shoferëve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në nëntor të vitit të shkuar, të cilët mbanin sipas letrës, harta të Shqipërisë së madhe dhe broshura me përmbajtje irredentiste, shumica në gjuhën shqipe.
Nënkryetari Neo Demokracia i drejton tre pyetje ministrave përkatës:
- Çfarë hapash do të ndërmarrin Ministritë për të nxjerrë përgjegjësitë administrative dhe ato penale?
- Sa rekrutë shqiptarë pranohen çdo vit në ushtrinë greke?
- A kanë hetuar ministritë nëse veprimet e mësipërme janë nxitur nga forca të organizuara?
Letra e plotë
/Ora News/
KOHA JONË SONDAZH

