Ushtria serbe në Kosovë? SHBA: Jemi kundër, nëse ndodh Prishtina ka mbështetjen tonë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër një ushtrie serbe në Kosovë, siç dëshiron presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor kundërshton në mënyrë të ashpër kërkesën e presidentit serb Vuçiç, i cili kërkon të kthejë ushtrinë serbe sërish në Kosovë.
I pyetur në një intervistë për ”Radio Europa e Lirë” për qëndrimin e SHBA-së për këtë situatë të tensionuar në veri të Kosovës dhe për kërkesën e Vuçiç-it, ai ka thënë se SHBA është totalisht kundër kësaj kërkese dhe nëse do jetë e nevojshme ndërhyrja, do jetë në mbështetje për Kosovën.
“E parë nuk e pres që Serbia të sjellë ushtrinë në Kosovë. E dyta, nëse kjo do ndodhi, Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA”.
Edhe Gjermania është kundër një ushtrie serbe në Kosovë. Ministrja e Jashtme gjermane, thotë se Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë po bën të kundërtën. Shefja e dipomacisë gjermane i quajti “të papranueshme” sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Veriu i Kosovës është i bllokuar nga qytetarët serbë. Ata po protestojnë kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç. Kalimi në vendkalimin Bërnjak dhe Jarinje nuk është i mundur as në këmbë, pasi ka ende barrikada.