Vajza nga Durrësi, Anita Likmeta, kandidate për deputete në parlamentin italian

Si të rinjtë e viteve 97, edhe Anita Likmeta, vajza nga Durrësi, iku nga Shqipëria. Në Itali, aty ku ka ndërtuar jetën, ajo është zyrtarisht kandidatja e parë shqiptare për një vend në Dhomën e Deputetëve të parlamentit italian në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 25 shtator.
Ajo shprehet se pothuajse gjatë gjithë jetës së saj ka qenë në një farë mënyre pjesë e politikës, duke iu dashur të merret me dokumentet e saj, por dhe me fushën e sipërmarrjes. Likmeta flet edhe rreth vështirësive të një emigranti, sidomos të grave dhe vajzave për t’u përshtatur në jetën e shtetit italian, si dhe sakrificave për t’u bërë pjesë e politikës.
”Është shumë e vështirë, besoj që të gjithë shqiptarët sikurse unë me familjen time, e kuptojnë se sa e vështirë dhe sa sakrificë është që të emancipohesh, sidomos për një grua, për një vajzë të realizohet në një shtet të huaj apo në një punë si kjo e imja ku mbizotërojnë më shumë burrat sesa gratë. Ka qenë gjithmonë një udhëtim i vështirë, por në fund fare, sakrificat këmbëngulja, jam përpjekur për të realizuar ato që ishin ëndrrat e mia. Beteja më të mëdha, më të vështirat janë më të bukura”.
Likmeta nënvizon edhe se është koha që komuniteti shqiptar i dyti më i madh në Itali, të ketë përfaqësimin në politikë.
”Shqiptarët duhet të kenë një zë të tyre, që do të jetë një ndryshim historik, do të jemi qytetarë me një përfaqësim politik. Shqiptarët e Italisë janë të integruar, kanë kaluar 30 vite nga eksodi”.

SHKARKO APP