Vaksina anti-covid, Rama: Kemi siguruar 500 mijë doza. ”Sulmon” Bashkimin Europian
Shqipëria siguron vaksinat ndaj Covid-19. Si një dhuratë për shqiptarët, në ditën e parë të 2021, kreu i qeverisë Edi Rama, doli në një konferencë live në facebook, ku tha se vendi ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës anti-covid. Kryeministri se 30 mijë doza të vaksinës do të vijnë në shkurt dhe në vazhdim. Rama ka njoftuar edhe se puna për sigurimin e vaksinimit nuk është ndalur me kaq, pasi sipas tij 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit.
“Në përfundim të vitit të kaluar dhe në vigjilje të Vitit të Ri, siguruam 500 mijë dozat e para të vaksinës me Pfizer. Kemi dakordësuar marrëveshjen. 10.700 dozat e para do të vijnë në javën e tretë të janarit. Shoppingu im në New York përfundoi me sukses (qesh me ironi). Ndërkohë që edhe me dy vende partnere kemi siguruar 9000 doza”, tha Rama.
Rama ka shfrytëzuar mundësinë për të shprehur indinjatën ndaj mungesës së ndihmës nga BE. Kryeministri u shpreh se është ndjerë i turpëruar nga ky vendim sipas tij i papranueshëm dhe absurd, ndërsa ka njoftuar se ka garantuar gatishmërinë e dy vendeve të tjera të Europës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinës.
”Ju bëj me dije se kemi garantuar ditët e fundit gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash në gjysmën e parë të janarit. Nuk mund ti përmend emrat sepse sot dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer, do të ndikojë ose jo në finalizimin e këtyre operacioneve solidariteve nga ana e dy qeverive mike, që nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë, ku ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë. Me dy shtete të tjera po negociojmë për një sasi vaksinash nga Pfizer dhe Astazeneca.
Jam tejet falënderuar për këto dy vende sepse as njëri dhe as tjetri nuk hyjnë te vendet më të pasura të Europës, por kanë pasur bujarinë që ti konsiderojnë seriozisht lutjet tona. E kemi kapërcyer në kohë rekord për pozicionin e disfavorshëm nga ku u nisëm, hendekun që hapi në mes të Europës vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme logjikisht e BE.
Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si evropian jam ndjerë i turpëruar. Si kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të mos ndjehen të përjashtuar nga mundësia për tu mbrojtur njëkohësisht me europianët e tjerë nga kjo luftë botërore me rrezikun e vdekjes”,-tha Rama.
Siç edhe ishte njoftuar më parë, të parët që do të vaksinohen në Shqipëri janë bluzat e bardha, mësuesit, policët dhe të moshuarit mbi 75-vjeç. ”Tirana është qendra e parë tek ”Air Albania Stadium”, me një ambient vaksinimi nga më të mirët, në një fushatë “Shqipëria buzëqesh”, falë së cilës do i kthejmë Shqipërisë buzëqeshjen e marrë peng vitin që shkoi. Vaksina nuk është e detyrueshme por është e këshillueshme. Siç e kemi thënë, vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Në vijim do të vazhdohet me moshat e tjera. Jam tejet i lehtësuar sot, më në fund kam mundur të fle pak pas mesnatës, megjithëse ishte nata kur të rriturit rrinë zgjuar deri në mëngjes”,-tha Rama.