”Vaksina të mundësuara nga PS-ja”/Spahiu: Kjo propagandë s’ka ndodhur as në diktaturë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë, njëherësh edhe kandidat për deputet në listën e këtij qarku, Përparim Spahiu ka komentuar procesin e vaksinimit në Shqipëri.
Sipas tij, propaganda që ”vaksinat janë të mundësuara nga PS-ja”, sipas tij kjo nuk ka ndodhur as në diktaturë. Nga ana tjetër, ai thotë se asnjë qeveri në botë nuk mburret me vaksinat anti-covid. Spahiu i bën edhe një thirrje kryeministrit Rama, ku shprehet se duhet ta ndërpresë këtë fushatë të turpshme.
”Vaksinimi është detyrë funksionale e shtetit ndaj qytetarit, jo nder i madh e i pashëmbullt që e ofroka Partia. KM bën mirë ta ndërpresë këtë fushatë të turpshme që tall inteligjencën e shqiptarëve. Por, nëse nuk e ndërpret, do të marrë vesh më 25 prill se jetën shqiptarit nuk ja jep Partia, por prindërit dhe Zoti”,-shkruan Spahiu në facebook.
Postimi i plotë
Shumë vite më parë, kur isha i mitur jam vaksinuar si të gjithë shqiptarët e tjerë. As Partia e Punës nuk më ka thënë që e kisha jetën prej saj e as prindërit e mi nuk ndjenë nevojën për të falenderuar Partinë që na bënte vaksinat.
Propaganda që po ndodh sot me teorinë “vaksina të mundësuara nga Partia Socialiste” nuk ka ndodhur as në diktaturë. Jemi në mes të një pandemie, asnjë qeveri në botë përveç kësaj tonës nuk mburret dhe nuk kërkon mandat qeverisës se ka vaksinuar njerëzit.
Kjo sepse vaksinimi është detyrë funksionale e shtetit ndaj qytetarit, jo nder i madh e i pashëmbullt që e ofroka Partia. KM bën mirë ta ndërpresë këtë fushatë të turpshme që tall inteligjencën e shqiptarëve. Por, nëse nuk e ndërpret, do të marrë vesh më 25 prill se jetën shqiptarit nuk ja jep Partia, por prindërit dhe Zoti.