Vangjel Dule: Të vetëm në zgjedhje nëse nuk bie dakort Rama
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule bëri të qartë sot në lidhje me bisedimet me PS-së për kandidatët, se në rast se nuk do konvergohen kandidatët me propozimet e PBDNJ-së në disa bashki, do kandidojnë të vetëm në zgjedhje. Ai shprehu shqetësimin e tij në lidhje me zgjedhjet e 21 qershorit, duke thënë se po vendosen në komisionet zgjedhore 225 militantë të partive kryesore. Dule thotë se reforma territoriale u bë me qëllime klienteliste ku dihej paraprakisht fituesi.
“Jemi përgatitur brenda mundësive dhe javën që vjen konkludojmë dhe hyjmë në zgjedhje me programet tona, në ato bashki që tradicionalisht kemi qenë forcë mbizotëruese kemi patur programin më adekuat, rrjedhimisht kështu do përgatitemi në këto zgjedhje. Krahas tyre do jemi edhe në 61 bashki, të paktën në nivelin e këshillave bashkiakë. Duke qenë se jemi në komunikim politik por jo në negociata me PS-në e forca të tjera, nëse do kemi konvergim kandidatësh në disa bashki, atëherë do kemi edhe një marrëveshje, përkundrazi do jemi të vetëm.’’, deklaroi Dule.
Ai u shpreh se nuk e emocionin emrat e kandidatëve të partive dhe se PBDNJ ishte në tregun politik me emrat e saj. Dule la të hapur edhe komunikimet e mundshme politike me PD-në, duke shprehur pakënaqësinë e kandidatit të Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani. ‘’Kandidati i Kuçovës duhet të jetë dora e zgjatur e kryetarit të Partisë Socialiste. Janë pikësëpari zgjedhjet e lokaliteteve’’, theksoi Dule.
Kreu i PBDNJ-së, Dule komentoi edhe reformën territoriale, duke e cilësuar si klienteliste.
“Dëshiroj të jem i qartë dhe jo i keqinterpretuar. Asnjëherë nuk kemi qenë kundër reformës administrative. Ishte domosdoshmëri, ne ishim kundër në formën që u zhvillua, duke u kthyer në klienteliste, ku u bë qëllim në vetvete krijimi i disa njësive ku dihej paraprakisht fituesi. Himara, lidhje me Vranishtin pa asnjë lidhje, që një deputet me çdo mënyrë të ligjshme apo të paligjshme të ketë administrimin e asaj zone.”, komentoi ai, duke shtuar shqetësimin e vendosjes së 225 militantëve në komisionet zgjedhore në për zgjedhjet në bashkitë e vendit.
“Cilësohen si militantët më të besuar si para dhe pas zgjedhjeve dhe jemi të bindur se do bëjnë të njëjtën gjë në zgjedhjet e radhës. Kjo nuk dëshmon barazi në zgjedhje dhe se po shkojmë në zgjedhje të drejta dhe të barabarta. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë.’’, përfundoi ai.