Vasili: 25 prilli një gropë mafioze që veç sa është hapur. KAS refuzon dhunshëm faktet e opozitës
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka analizuar 25 prillin, ku thotë se krimi zgjedhor rilindas është ndërtuar duke u bazuar mbi pandëshkueshmërinë që e sjell Drejtësia e kapur. Përmes një postimi në facebook, Vasili thekson se Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), refuzon dhunshëm faktet e opozitës.
Për të, iluzioni i rremë i Rilindjes se me KAS-in dhe Kolegjin Zgjedhor si institucione të kapura kriminalisht mund të mbyllë 25 prillin, është vetëm një ëndërr me sy hapur.
”Qindra fakte janë në zotërim të opozitës, dhe fakte të tjera të reja dalin në vazhdimësi, që provojnë haptas masakrën zgjedhore. Iluzioni i rremë i rilindjes se me KAS-in dhe Kolegjin Zgjedhor si institucione të kapura kriminalisht mund të mbyllë 25 prillin, është vetëm një ëndërr me sy hapur”,-shkruan Vasili.
Postimi i plotë
Gropa septike e 25 prillit vetëm sa është hapur, fundi është larg! Masakra e 25 prillit vetëm rëndohet dita-ditës. E gjithë struktura e këtij krimi mafioz shtetëror është e qartë në gjithë dimensionin e saj. Krimi zgjedhor rilindas është ndërtuar duke u bazuar mbi pandëshkueshmërinë që e sjell Drejtësia e kapur.
I zbatuar ne tre faza:
1-Përdorimi kriminal i qindra mijëra të dhënave personale, përjashtimi banditesk antikushtetues i dhjetëra mijë votuesve nga Greqia dhe Maqedonia, përdorimi i grupeve kriminale ashtu siç kulmoi me ngjarjet e Elbasanit dhe Kavajës, shpërdorimi i dhjetra milionë euro para publike, shpërdorimi kriminal i administratës publike dhe shërbimeve të saj, blerja masive e votës me të gjitha format, ishin veprimet e fazës përpara datës 25 prill.
2-Votimi i shumëfishtë ku një zgjedhës votonte disa herë, kutitë e votimit me vota brenda më shumë sesa votues, dhunimi i fletëve të votimit nga komisionerët rilindas dhe pavlefshmëria masive e votave karakterizuan manipulimin e datës 25 prill.
3-Veprimtaria e KAS si faza përmbyllese e krimit zgjedhor, ku KAS refuzoi çdo ankimim të opozitës megjithë faktet tronditëse, KAS refuzoi dhunshëm të kërkonte faktet që zbardhnin tërësisht krimin zgjedhor duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe duke vepruar si zorrë qorre e qeverisë rilindase.
Qindra fakte janë në zotërim të opozitës, dhe fakte të tjera të reja dalin në vazhdimësi, që provojnë haptas masakrën zgjedhore. Iluzioni i rremë i rilindjes se me KAS-in dhe Kolegjin Zgjedhor si institucione të kapura kriminalisht mund të mbyllë 25 prillin, është vetëm një ëndërr me sy hapur.
Kjo masakër mafioze ka thelluar edhe më keq krizën shumë të rëndë politike, sociale dhe ekonomike, ka thelluar zemërimin dhe polarizimin shpërthyes mbarëpopullor. 25 prilli është kthyer në një gropë gjigande septike mafioze, që vetëm sa është hapur.
Demontimi, denoncimi dhe demaskimi i 25 prillit është rruga e vetme, prioriteti i vetëm dhe beteja e vetme, që garanton themelin e demokracisë që është vota e lirë. Askush të mos ketë as iluzionin më të vogel se 25 prilli është mbyllur, 25 prilli është llogari e hapur dhe tepër e rëndë me shqiptarët, që vetëm sa është hapur!!