Vasili: Duhet ligji për referendumet! Askush në atë parlament nuk përfaqëson LSI-në
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka thënë se sistemi zgjedhor nuk duhet të ndryshohet prej partive por prej popullit.
Vasili thotë se për ndryshimin e sistemit zgjedhor duhet ligji për referendumet sepse populli duhet të vendosë sistemin, dhe jo partitë, pasi prej këtyre të fundit është zgjedhur edhe sistemi aktual dhe do ishte kthim në 2008.
Petrit Vasili ka shprehur hapur dëshirën për Listat e Hapura por ai thotë se Këshilli Politik nuk mund të vendosë për sistemin zgjedhor, nuk i ka atributet, ndërkohë për marrëveshjen zgjedhore tha se çështjet kryesore janë dakordësuar dhe mbetet vetëm për votimin formal në parlament.
Madje ai tha se në Parlament nuk ka mazhorancë apo opozitë parlamentare por ka vetëm mazhorancë me 120 deputetë. Por ndërkohë opozita parlamentare ka kërcënuar se nuk do votojë Reformën Zgjedhore në rast se nuk ndryshohet sistemi në Lista të Hapura.
”Sigurisht përfundimi i marrëveshjes konturon dakordësitë themelore. Për administrimin zgjedhor ka një qëndrim shterues. Janë çështje të mbyllura. Mbetet përkthimi ligjor. Pjesa më e madhe është bërë. Shpresoj që në mbledhjen e Këshillit Politik, që çështjet e dakordësuara do të jenë për t’u mbyllur me përcaktimet ligjore që janë përfundimtare.
Do të vijohet me 6 grup çështjet e tjera. Ku ka elementë që afektojnë dhe pjesë të tjera të legjislacionit, jo vetëm Kodin Zgjedhor. Do ketë intensitet të lartë. Më pas votimi formal në Kuvend. Këtu mbyllet marrëveshja.
Nuk e vë fare në diskutim çështjen fiton apo nuk fiton. Kanë pasur të bëjnë vetëm me votën e shqiptarëve, voton i lirë apo nën presion, numërohet rregullisht apo tjetër për tjetër, do kemi një 30 qershor të dytë apo jo. Këtyre çështjeve i është vendosur një zgjidhje apo barrikadë.
Plani i Ramës për të numëruar vetë votat, iu vu jë barrikadë të madhe. Ai e ka refuzuar depolitizimin e administratës zgjedhore. Çuditem si gënjeu Rama dje, se nuk është lajm që ai gënjen. Përse gënjeu këtë radhë. Ditën para darkës së marërveshjes iu çua një propozim për administratën zgjedhore, por pa administratën e Edi Ramës. Rama këtë e refuzoi dhe pranoi që edhe këto zgjedhje të ishim në komisionet ekzistese. Patjetër ai kërkoi këtë. Ne shtuam identifikimin biometrik për mos rënë asnjë gram poshtë garancive. Deduktuam dhe në shpërbërjen e KQZ që shkatërroi zgjedhjet e kaluara. Një refuzues ka qenë, Edi Rama. Edhe projekti që mund të aplikohej që tani depolitizimi, u refuzua se donte ose administratën e tij, o rashë e vdiqa.
Të jemi transparentë. Këshilli Politik u aktivizua prej situatës së jashtëzakonshme. Sistemi është çështje e hapur prej 2017. Komisioni nuk përmbushi detyrat, u ringrit, u pengua nga mazhoranca. Dhe ishte për një Reformë Zgjedhore për të adresuar çështjet e ODIHR. ODIHR nuk ka asnjë rekomandim për sistemin. Këshilli Politik nuk mund të ndryshojë sistemin. Është pjesë e partive, partitë e ndryshuan në 2008. Na duhet sërish të kthehemi tek populli. Na duhet një ligj për referendumet. Dhe t’i japim shqiptarëve. Unë për vete i dua listat e hapura, por ka disa variante. Qytetarëve duhet t’u jepet mundësia. Ky është qëndrimi parimor, ndryshe do ishte një kthim në 2008.
Askush në atë parlament nuk përfaqëson LSI. Qëndrimi ynë është i prerë, i kemi dorëzuar mandatet. Qëllimi politik ka qenë i qartë, kemi qenë në shesh. Sistemi danez është paraqitur, janë dhe 5 propozime për sistemin zgjedhor, kishin si atribute ndryshime të thella kushtetuese, por nuk i përkistë Këshillit Politik.”- tha Vasili.