Vasili: Edi Rama shkaktari i vonesës për reformën zgjedhore

Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili deklaroi se Edi Rama është shkaktari i vetëm i vonesës një vjeccare të realizimit të roformës zgjedhore, një nga kushtet kryesore të vëna nga BE-ja për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në një deklaratë për mediat, Vasili u shpreh se parlamenti ilegjitim përveç se thelloi krizën, e bëri jo vetëm një problem të rëndë për shqiptarët por edhe një problem ndërkombëtar.

Ai theksoi se zgjidhja e dhënë dje ishte pikë për pikë ajo zgjidhje e propozuar muaj më parë nga opozita për të krijuar një mekanizëm me dy palë dhe ndërmjetësues ndërkombëtarë të kualifikuar ku OSBE-ODIHR ishin dhe mbeten ndërmjetësues të zgjedhur.

“Qeveria dhe Edi Rama janë fajtorë të vetëm për këtë vonesë shumë mujore që i kushtoi Shqipërisë integrimin dhe një proces shpopullimi më tragjikun që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Qeveria e zgjedhjeve të vjedhura duhet të largohet sa më parë. Qeveria që grabit miliona me koncesione dhe që iu dhuron qindra milionë tendera kriminelëve e trafikantëve duhet larguar sa më parë. Opozita kishte përgjegjësi për një nga 9 pikat që Bundestagu dhe Europa i kishin vënë Shqipërisë dhe me një sjellje shumë të përgjegjshme bëri gjithçka që kjo pikë të merrte zgjidhje. Integrimi europian nuk i intereson qeverisë”, deklaroi Vasili.

Ai tha më tej se opozita shqiptare konseguente dhe patriote është dhe do jetë e palëkundur në aksionin e saj opozitar.

“Askush nuk mundet më që të luajë me fatet e Shqipërisë. Edi Rama nuk mundet më që pasurimin e qeverisjes së tij ta kthejë në mjerimin ekonomik të xhepave të shqiptarëve. Opozita shqiptare dha provën e përgjegjshmërisë e pakursyer”, u shpreh nënkryetari i LSI.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Opozita shqiptare dhe pala tjetër në pushtet dakordësuan dje kuadrin e bashkëpunimit për reformën zgjedhore. Pra thënë më thjeshtë, dhënien e zgjidhjes së reformës zgjedhore si një kusht shumë i rëndësishëm në rrugën e integrimit europian, por edhe një hap i parë vendimtar për të hedhur menjëherë pas tij hapin e dytë, pra zbatimin e kësaj reforme në praktikë, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, aq të domosdoshme dhe jetike për vendin.
Parlamenti ilegjitim dhe anti kushtetues, i cili është zaptuar duke u kthyer në domainin e kriminelëve dhe trafikantëve, përveç se thelloi krizën, e mbajti atë pezull, e rëndoi dhe e bëri përveç se një problem shumë të rëndë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, edhe një shqetësim të madh europian, kërkonte patjetër zgjidhjen përkatëse, zgjidhjen politike. Mekanizmi i krijuar është një përgjigje direke ndaj krizës në mënyrë të veçantë, ku ka hyrë institucioni i votës së lirë, pra institucioni që realizon praktikisht vullnetin e qytetarëve, një vullnet të pa ndikuar, një vullnet jashtë presionit, një vullnet jashtë blerjes dhe trafikimit të votës.
Zgjidhja e dhënë dje ishte pikë për pikë ajo zgjidhje e propozuar muaj më parë nga opozita, për të krijuar një mekanizëm me dy palë: opozita në njërën anë, pala parlamentare qeveritare në krahun tjetër dhe ndërmjetësues ndërkombëtarë të kualifikuar, ku sigurisht OSBE-ODIHR, ishin, mbetën dhe u formësuan si ndërmjetësues apo lehtësues të procesit të zgjedhur për sa i takon integritetit dhe kompetencës profesionale të tyre.
Qeveria dhe Edi Rama janë fajtorë të vetëm, shumë të rëndë, por pikërisht për këtë vonesë shumë mujore, që i kushtoi Shqipërisë bllokimin e integrimit europian, izolimin e vendit dhe që stimuloi dhe rëndoi një proces shpopullimi, më të rrezikshmin dhe më tragjikun, që Shqipëria ka përballuar ndonjëherë në historinë e saj.
Qeveria e zgjedhjeve të trafikuara, të vjedhura me paratë e drogës dhe të krimit, është e qartë që nga ky moment se duhet larguar sa më parë. Qeveria që radhit Shqipërinë si një ndër tre vendet më të korruptuara në glob, patjetër që duhet larguar sa më parë. Qeveria që grabit miliona me koncesione e që u dhuron qindra milionë euro tendera kriminelëve dhe trafikantëve patjetër dhe asnjë ditë më vonë duhet larguar sa më parë.
Opozita kishte një përgjegjësi. Për një nga nëntë pikat që Bundestagu gjerman dhe jo vetëm Bundestagu gjerman por gjithë Europa, tashmë i kishte vënë Shqipërisë dhe me një sjellje shumë të përgjegjshme, konsguente dhe patriotike, bëri gjithçka që kjo pikë të merrte zgjidhje pavarësisht rezistencës kriminale të qeverisë për të mbajtur vendin pezull dhe për të mos ta përmbushur këtë kusht në funksion të asaj strategjie që qeveria ka për ta mbajtur Shqipërinë larg Europës dhe për ta bërë atë domen të ndërhyrjeve t tjera nga realitete të tjera politike dhe shtetërore, që janë të kundër asaj që shqiptarët duan dhe që është integrimi euroatlantik. Tashmë është e qartë që ekzistojnë dhe 8 çështje të tjera kyç për të pasur hapje të negociatave për anëtarësim që do të thotë një frymëmarrje e re një, një Shqipëri tjetër. Një Shqipëri e cila ecën përpara, vëzhgohet nga Europa, e cila lufton plagët e tmerrshme të korrupsionit por këto 8 pika janë një detyrim i qeverisë. Është shumë e qartë që qeveria për këto 8 pika nuk ka lëvizur dhe nuk lëviz gishtin. Qeverisë nuk i intereson, nuk i duhet integrimi evropian, është e kundërta e asaj që qeveria ka objektiv dhe ka qëllim. Në këtë pikë për integrimin evropian qeveria është vendosur qartësisht kundër shqiptarëve. Opozita shqiptare, konsekuente dhe patriote, është dhe do të jetë e palëkundur në aksionin e saj opozitar që e shpëton Shqipërinë nga izolimi dhe nga shpopullimi çnjerëzor. Askush nuk mundet më që të luajë me fatet e Shqipërisë. Edi Rama nuk mundet që kapjen dhe varësinë nga krimi dhe trafiku ta kthejë më në një problem të shqiptarëve. Edi Rama nuk mundet më që pasurimin e qeverisjes së tij ta kthejë në mjerim ekonomik të xhepave të shqiptarëve. Koha e zgjidhjes nuk pret më. Dhe nuk mundet ta ndalë kërkush këtë proces çlirimi politik, shoqëror dhe ekonomik që të gjithë shqiptarët kërkojnë. Opozita shqiptare qartësisht si gjithmonë dha provën e përgjegjshmërisë e pakursyer në vetëmohimin e saj, e pakursyer në çdo sakrificë që vendi të marrë zgjidhje. Të gjithë shqiptarët sot janë më të qetë dhe më të qartë se kurrë që kanë mbështetje të tyre, kanë udhëheqje të veprimit të tyre politiko shoqëror, një opozitë jo vetëm shumë të përgjegjshme, jo vetëm shumë patriote, jo vetëm shumë mendjehapur por dhe të ndërgjegjshme për përgjegjësitë e mëdha që vendi asaj i ka vënë mbi shpinë, përgjegjësi të cilat ajo është e gatshme ti mbajë pasi është e bindur se është në krahun e qytetarëve dhe flet me gjuhën e qytetarëve

SHKARKO APP