Vasili: LSI përherë krah interesit publik dhe qytetar
Në kuadër të zgjedhjeve për Kryetar të LSI që do të mbahen në 6 nëntor, Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i shoqëruar dhe nga deputetët Monika Kryemadhi, Robert Bitri, Kejdi Mehmetaj zhvilluan një takim me anëtarësinë e LSI-së në zonën e Topojës në qarkun e Fier.
Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili u shpreh se LSI do të jetë përherë pranë njerëzve dhe vota e saj si në qeverisjen qendrore, ashtu edhe në atë vendore, do të jetë përherë pro interesave të qytetarëve.
“Këmbënguljet tona për ta bërë këtë reformë me konsensus ishte një aksion që LSI e bëri në të mirë të vendit, për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e vendit sepse ishte një drejtësi që i duhej të gjithëve, është një drejtësi, e cila duhet rrënjësisht të përmirësohet dhe të ndryshojë sepse të gjithë janë të pakënaqur prej saj. Dhe kryetari i LSI, Ilir Meta vuri gjithçka, vuri zemrën në këtë çështje sepse mendoi në radhë të parë jo si politikan, por si qytetar. Dhe çdo qytetar ishte dhe mbetej shumë i pakënaqur nga drejtësia dhe kërkonte një drejtësi të re. Dhe po për këtë arsye edhe për ligje të tjera të cilat na shoqërojnë, për të cilat na duhet mendimi, por do të duhet dhe qëndrimi në parlament i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ne do të jemi të vendosur qartë dhe përherë në krahët e interesit të madh publik dhe qytetar”, tha Vasili.
Deputeti i LSI-së u shpreh se kudo ku publiku dhe qytetarët ndihen të qetë se nismat ligjore apo ligjet që miratohen janë për të mirën e tyre, këto ligje do të kenë patjetër edhe votën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Vetëm kur qytetarët do të jenë të qetë që ata as dëmtohen dhe as lëndohen, vetëm atëherë ne do të mbështesim të gjitha llojet e nismave në vijimësi në parlamentin shqiptar, por edhe në të gjithë parlamentet lokale,qofshin këto këshilla bashkiake, pasi edhe atje merren vendime që kanë lidhje me qytetarët. Dhe bashkë me fushatën ne rimarrim çdo shqetësim periferik për ta kthyer në një shqetësim madhor, atje ku merren vendime dhe në ato tavolina ku duhet dhe ku vota e LSI bën diferencën midis pozitives dhe negatives duke e pranuar në mënyrë të padiskutueshme, të përhershme dhe përgjithmonë vetëm në krahun pozitiv dhe interesin publik të qytetarëve. Besoj se këtë frymë do ta keni edhe ju këtu. Kjo do të jetë fryma e LSI”, u shpreh Vasili.
Në fjalën e saj, znj. Kryemadhi vuri theksin tek rëndësia që kanë gratë me rolin e tyre në demokracinë shqiptare dhe të forcës politike LSI, ndërsa theksoi nisjen e një aksioni për një projekt të ri në shkallë kombëtare për organizimin e LGI.
Pas këtij aktiviteti, Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili inspektoi punimet për pastrimin e kolektorit kryesor të Darëzezës dhe vënien në gatishmëri të dy hidrovoreve në këtë zonë.
Në një prononcim për mediat, z. Vasili tha se zgjerimi, thellimi, pastrimi i kolektorëve kryesore dhe kanaleve kulluese si dhe vënia e mbajtja në gatishmëri e hidrovoreve është një punë parësore për të përballuar me sukses stinën e dimrit dhe për të mos pasur përmbytje sikurse ka pasur në vitet e shkuara.
“Ne sot patëm mundësi që të shohim nga afër një projekt që po zbatohet në mënyrë të suksesshme dhe ka të bëjë me hapjen e një prej kanaleve që do ta cilësoja thelbësor për kullimin e kësaj zone. Dhe një projekt i cili zbatohet me sukses dhe që shënon një ndryshim rrënjësor këtu dhe që lidhet me një çështje të drejtpërdrejt që lidhet me çështjen e përmbytjeve. Për të qenë shumë më të qartë me qytetarët, do të thotë minimizojmë pasojat dhe përmbytjet masive me të cilat kemi pasur eksperienca të këqija në të shkuarën dhe kjo është një ndërhyrje konkrete, shumë intensive. Ju po shikoni mjetet që po punojnë në terren, të fuqizuara dhe me mjete të tjera që kanë ardhur nga Republika e Kinës dhe që bëjnë të mundur pra ndërhyrje të karakterit intensiv që ecin shpejt si projekte dhe që u paraprijnë stinës në mënyrë të veçantë të reshjeve që na pret. Në fund të fundit kërkon një përgjigje të shpejtë pasi ju kujtoni dhe në vitet e shkuara kemi pasur situata shumë të vështira dhe kjo bën të mundur që këto situata të mos përsëriten pasi pasojat ekonomike dhe shoqërore që ato japin janë shumë të rënda, qoftë për produktet bujqësore , qoftë për banesat e qytetarëve pra do të shoqërohen me dëme që shpesh janë të pamundshme që të rikuperohen”, tha Vasili.
Në fjalën e tij, Vasili u shpreh se puna shumë e mirë që është nisur dhe që po udhëhiqet nga Bordi i Kullimit, është një projekt i cili do të duhet të vazhdojë po me këtë ritëm.
“Duke përfituar nga çdo ditë e qëndrueshme, të cilat duhen konsideruar ditë që duhet punuar 24 orë në mënyrë që t’i paraprihet pasi moti nuk është një mot që premton për mirë. Por duke bërë punë me themel dhe duke i qëndruar punës te koka minimizohen dhe pse jo bëhen pa influencë negative tek qytetarët”, tha Vasili.
Punimet për pastrimin e kolektorit kryesor të Darëzezës do të vijojnë në një gjatësi prej 3.1 km dhe vlera e investimit kap shifrën e 5.5 milionë.
KOHA JONË SONDAZH

