Vasili: Mungesa e transparencës për Marrëveshjen e detit, si provë pabesie e Ramës

Për nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, mungesa e transparencës për Marrëveshjen e detit me Greqinë shërben si provë pabesie e kryeministrit Edi Rama!

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vasili vlerëson se është fakt i pakundërshtueshëm që debati, dyshimet e forta dhe hamendjet gjithëfaresh për Marrëveshjen e Detit ndizen gjithmonë pas deklarimeve publike të Greqisë Zyrtare.

Në këtë kontekst, Vasili deklaron se asnjëherë Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edi Rama, nuk i ka prirë me informacion për publikun për zhvillimet e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Detit.

Reagimi i nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Mungesa e transparencës për Marrëveshjen e detit, si provë pabesie e Ramës!

Është fakt i pakundërshtueshëm që debati, dyshimet e forta dhe hamendjet gjithëfarësh për Marrëveshjen e Detit ndizen gjithmonë pas deklarimeve publike të Greqisë Zyrtare.

Asnjëherë Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Rama, nuk i ka prirë me informacion për publikun për zhvillimet e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Detit.

Asnjëherë nuk kanë qenë shqiptarët që informohen të parët nga qeveria e tyre për këtë Marrëveshje.

Gjithmonë reagimi i Ramës dhe qeverisë ka ndjekur nga pas reagimet e Athinës zyrtare.

Reagimet e Qeverisë kanë qenë gjithmonë të frikësuara,të ndrojtura, tamam si njerëz të zënë në faj, apo aq më keq, me presh në dore në një akt pabesie ndaj vendit.

Kontrasti me reagimet eksplozive në vitin 2009 kundër Marrëveshjes së Detit të asaj kohe janë si dita me natën në raport me këto të sotmet.

Athina zyrtare flet fort dhe pa komplekse, ndërkohë që Rama dhe qeveria ulin sytë dhe belbëzitin duke demonstruar një siklet të madh dhe të lexueshëm.

Çfarë gjëje i trembet Rama, që nuk guxon të flasë qartë, hapur e me transparencë?

Përse vetëm reagohet dhe nuk i paraprihet çështjes me informacion për shqiptarët?

Çfarë e fiku pathosin nacionalist të Ramës, që bubullonte për këtë çështje kur ishte në opozitë duke e kthyer këtë çështje edhe në kalë të betejës së tij politike?

Çfarë pabesie e madhe fshihet, qe e turbullon kaq fort Ramën saqë e bën të struket përballë palës greke?

Këto pyetje i shteron vetëm transparenca e plotë.

Por duket qartë se Rama dhe transparenca përjashtojnë njëra-tjetrën!

SHKARKO APP