Vasili: Nuk e ka populli fajin për pandeminë, por shëndetësia e PPP-ve dhe ushqimeve me litar

Nga Petrit Vasili

Fajin nuk e ka populli për pandeminë, por shëndetësia e PPP-ve dhe ushqimeve me litar!

Një lukuni qeveritarësh, por edhe profesionistësh të akaparuar po çjerrin fytin dhe i janë vërsulur popullit, që sipas tyre qenka fajtor për pandeminë.

Nën regjinë e neveritshme propagandistike të qeverisë, me të gjithë lapërdharët në kuvend e ngado të bërë së bashku, i janë vërsulur popullit, që është gjetur sipas tyre fajtor për pandeminë.

Shëndetësia e Edi Ramës nga PPP e koncesionet e deri tek ushqimet me litar nëpër spitale nuk kanë asnjë përgjegjësi e faj sepse fajtor na qenka populli për pandeminë.

Dy muaj e ca me parë kur Edi Rama shpalli se nuk do fliste per pandeminë se më e keqja sipas tij kish kaluar, e lëvdoi dhe falënderoi me zë të lartë dhe pa fund popullin, ndërsa sot kur çorganizimi ekstrem i qeverisë ka rënduar situatën fajin na e paska populli.

Mjerim i madh kur këto gëbelsizma bajate të një qeverie të paaftë vihen në gojë edhe të ca njerëzve të mjekësisë.

Për këta të fundit kam uruar dhe uroj që këto budallëqe, që thonë të vijnë vetëm nga dijet superficiale, nga mosnjohja e epidemiologjise apo nga ndonjë interes i vogël vetjak për të ruajtur ndonjë vend pune për vete a familjen, apo për ndonjë përfitim vetjak sepse nëse do ti besonin vërtet do të ishte vërtet një ditë e pështirë në jetën e tyre sepse të bësh popullin fajtor është thjesht injorancë e ligë.

Sa për popullin dhe sistemin shëndetësor edhe një kujtesë.

Është ky popull që bashkë me shëndetësinë kanë kaluar vetëm në 30 vitet e fundit shpërthime epidemike, epidemi e pandemi duke fillluar nga kolera, poliomieliti, fruthi, sars, gripin e shpendëve, gripin e derrit, lopën e çmendur etj.

Ka qenë ky sistem shëndetësor që ka arritur nivele vaksinimi shumë të larta të nivelit botëror në bashkëpunim me të njëjtin popull dhe duke kaluar shumë vende tepër të zhvilluara europiane dhe më gjerë.

Ka qenë ky po i njëjti popull që së bashku me shëndetësinë ulen në njëshifrore vdekshmerinë foshnjore dhe amtare si tregues fondamentalë të sistemit shëndetësor.

Populli bashkëpunon dhe i përgjigjet shkëlqyeshëm mesazheve të qarta, të konsoliduara dhe profesionale.

Por populli nuk mund të pranojë që ta përdorin, t’i shesin suksese që nuk ekzistojnë siç bëri Edi Rama në rastin e pandemisë dhe me pas ti faturojnë dështimet qeveritare.

Populli është atje ku ka qenë dhe përveçse duhet falënderuar nuk mund të fajësohet kurrë.

Por qeveria që katandisi shëndetësinë nga koncesionet tek ushqimet me litar nëpër spitale është ajo problemi shkaku dhe pasoja ndaj është edhe fajtorja e vetme, por edhe e pabesa e madhe kundër popullit të vet.

SHKARKO APP