Vasili: Opozita ka bllokuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, koha nuk pret
Ndryshimet e mbetura pezull në Kodin Zgjedhor për shkak të bojkotit të Kuvendit dhe komisioneve nga opozita po vënë në rrezik Zgjedhjet Vendore 2015.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi sot nga Kryesia e Kuvendit se “koha nuk pret më dhe opozita duhet të paraqesë sa më shpejt, amendamentet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi po krijon një problem të madh për menaxhimin e tyre duke mos treguar vullnet".
“Opozita ka harruar se ky pushtet vendor nuk do të jetë pushtet i njerës apo tjetrës palë, – tha Vasili, – por në shërbim të komunitetit. I zgjedhuri nuk do të jetë atje për bllokimin e interesave të komunitetit. Duke vlerësuar se shumë pak kohë na ka mbetur deri në mbajtjet e zgjedhjeve vendore, kërkojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të paraqiten sa më shpejt në seancë plenare dhe opozita të paraqesë amendamentet e saj për t’ia nënshtruar debatit parlamentar.”