Vasili: Përse llafazani Edi Rama u bë memec për sulmin ndaj ambasadës së Malit të Zi

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ngre pikëpyetje lidhur me heshtjen e kryeministrit Edi Rama për sulmin ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Vasili shprehet se tek përgjigja e këtyre pyetjeve qëndron edhe e vërteta e hidhur e “Minishengenit tradhtar antishqiptar dhe anti-Kosovë të Edi Ramës”.

Reagimi i Vasilit

Edi Rama memec për sulmin ndaj ambasadës së Malit të Zi!

Rama kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë nuk ka shqiptuar e shkruar asnjë fjalë për sulmin ndaj ambasadës së Malit të Zi në Beograd.

E kishte detyrim shtetëror që të fliste. E kishte detyrim diplomatik të shprehej. E kishte obligim politik te mbante qëndrim.

Si një propagandist i palodhur i minishengenit gjer në histeri, e kishte të detyruar të prononcohej për gjest të rëndë që hedh në erë mirëkuptimin, klimën e paqes dhe besimit mes vendeve, qe janë edhe premisa kryesore të çdo marrëveshjeje.

I palodhur në komente boshe, i paepur në beteja qesharake me ndjekësit në FB, fjalamani patologjik hesht për një problem kaq serioz dhe tregon një mungesë integriteti kritike dhe vë bedelin Caka të belbëzojë fjali të shkoqura që s’thonë asgjë dhe pa asnjë qëndrim.

Natyrshëm lindin disa pyetje:

Pse u bë memec llafazani i sëmurë Edi Rama?

Kush ja lidhi gjuhën gjuhëlëshuarit Edi Rama?

Ç’detyrim i madh ja mbylli gojën zhurmëmadhit Edi Rama?

Pse u tremb kaq shumë gojëhumburi Edi Rama, saqë detyrohet e flet me gojën e Cakës?

Tek përgjigja e këtyre pyetjeve qëndron edhe e vërteta e hidhur e minishengenit tradhtar, antishqiptar dhe anti-Kosovë të Edi Ramës.

SHKARKO APP