Vasili: Provokatorët mbeten gjithmonë nga Rilindja. LSI dyfishon mandatet

Nënkryetari i LSI-së dhe kandidat për zgjedhjet e 25 prillit, Petrit Vasili ka folur për ngjarjen e fundit në Elbasan, ku thotë se mazhoranca është e interesuar të krijojë tensione, ndërsa opozita kërkon qetësi.

“Personi që humbi jetën ishte larguar prej kohësh nga LSI-ja, kohët e fundit ka qenë pjesëmarrës aktiv i Rilindjes. Nuk mund të kthehemi në një të shkuar që ka mbaruar prej kohësh. Ishte një ngjarje e paralajmëruar. Ndryshe nga zgjedhjet ku qeveritë janë të interesuara për qetësi, opozitat janë më aktive, më të drejtpërdrejta, këtu është e kundërta.

Opozita bën thirrje për qetësi dhe provokimet vijnë gjithmonë nga pushteti. Një ngjarje e shëmtuar ndodhi ditën e verës. Kemi parë se si pushteti mbush magazinat e zjarrfikësve me ushqime. Mazhoranca është e interesuar të krijojë tension. Qeveria e ka dhënë qartë mesazhin, që e filloi si një qeveri që shkel ligjet dhe atë po bën ende. Provokatorët mbeten gjithmonë nga Rilindja.

Për dimensionin që ka marrë ngjarja e Elbasanit, besoj se zgjidhja e vetme është që drejtësia të flasë, por fati mbetet, skena të tilla kanë ndodhur atje. Ngjarje të ndryshme si me Luçiano Boçin. Bandat e kanë rrëmbyer në dorë situatën”, tha Vasili për ”AS2cnn”.

Ai komentoi edhe zërat për përplasje me Luan Ramën në Vlorë, duke i hedhur poshtë kategorikisht ato, ndërsa theksoi se LSI do të dyfishojë votat në këto zgjedhje.

”LSI e Vlorës nuk ecën por fluturon është në ditët më të mira të LSI-së në këto 17 vjet, fitorja në Vlorë fillon me 3 mandate. Kam thënë se lajmin më të hidhur, Rama do ta marrë nga Vlora. Objektivi është një fitore e madhe e opozitës, e cila nga dita në ditë po merr dimensione të mëdha. Kuptojmë degradimin e mazhorancës. Besoj se projeksionet elektorale janë rritur në 2 javët e fundit. LSI po projektohet qartë të dyfishojë rezultatin, e shoh shumë të rritur, të fuqizuar dhe të pjekur. Listat e LSI janë më të mirat që kjo parti ka pasur në këto 17 vite”.

SHKARKO APP