Vasili: Qeveria në krah të oligarkëve, demokracia dhe liria më në rrezik se kurrë

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një deklaratë nga selia e partisë deklaroi se qeveria “Rama” dhe kushdo përfaqësues i shtetit që dhunoi sot banorët e Unazës së Re do të ndëshkohet.
“Askush të mos mendojë se do të shpëtojë nga kjo masakër. Ora e së vërtetës ka ardhur, kudo që ka dhënë urdhër do mbajë përgjegjësi për dhunën, ndërsa banorët do dëmshpërblehen plotësisht”,- deklaroi Petrit Vasili.

Mesazhi i plotë i Petrit Vasilit:

Qytetarë e qytetare!
Banorët e Astirit janë përballur sot me një dhunë çnjerëzore të jashtëzakonshme nga ana e qeverisë së Edi Ramës. Sot, hajdutët e qeverisë peng të oligarkëve goditën dhe helmuan banorët e thjeshtë që mbronin banesat e tyre nga grabitja e paligjshme e qeverisë. Në vend të dialogut dhe dëmshpërblimit të drejtë qeveria zgjodhi grabitjen policore për të mbushur xhepat e saj dhe të oligarkëve.

Sot është dhunuar çdo shqiptar. Sot, liria e pronës së çdo shqiptari është më në rrezik së kurrë. Sot, liria e protestës është më në rrezik se kurrë. Sot, e drejta e jetës është më në rrezik se kurrë. Sot, liria e shprehjes është më në rrezik se kurrë. Sot, demokracia është në buzë të greminës.
Askush dhe asnjë alibi nuk e shpëton dot qeverinë e cila zgjodhi të derdhte gjakun e qytetarëve të thjeshtë për të plotësuar interesat korruptive të saj. Në çdo centimetër rrugë të korruptuar që do të tentojë të ndërtojë qeveria tek ‘Unaza e Re’ do të qëndrojë mallkimi i qytetarëve të thjeshtë të moshuar gra e fëmijë të dhunuar nga Edi Rama dhe banda e tij. Edi Rama dhe qeveria bënë gjithçka që Shqipëria të mbetej jashtë Europës që të vazhdonte e pandëshkuar dhunën dhe grabitjen e qytetarëve dhe të pronës së djersës dhe sakrificave të panumërta të tyre. Drejtësia nuk do të vonojë dhe ata që grabitën qytetarët si dhe ata që i dhunuan do të përgjigjen deri në një. Pronat e qytetarëve do të kompensohen deri në një dhe këtë do ta bëjë vetëm opozita shqiptare nesër në qeverisje, duke vënë në vend një të drejtë të ligjshme dhe të merituar të qytetarëve. Askush nga qeveria të mos e ëndërrojë me kot pandëshkueshmërinë, ora e të vërtetës ka ardhur dhe të vërtetat tashmë i njohin të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

SHKARKO APP