Vasili: Qytetarët po burgosen. Absurde mbajtja e orareve të kufizimit dhe mbyllja e bizneseve
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka kërkuar sot nga qeveria heqjen e kufizimeve dhe orareve të lëvizjes. Në një deklaratë për mediat Vasili tha se është absurde mbajtja e orareve të kufizimit dhe mbyllja e qytetarëve e bizneseve.
Sipas tij, duhet të vazhdojë distancimi fizik të respektohet nga qytetarët dhe të zbatohen masat e higjienës personale, por kufizimet duhet të hiqen pasi po sjellin pasoja të tmerrshme tek qytetarët.
Ai u shpreh se vendimet e kryeministrit nuk kanë asnjë logjikë shëndetësore dhe nuk bazohen në të dhënat e bëra publike. “Pse Fieri të mbahet zonë e kuqe me një rast të vetëm. Është absurde mbajtja e orareve të kufizimeve dhe mbyllja e qytetarëve dhe bizneseve. Heqja e menjëhershme e kufizimeve orare të pakuptimta është një masë që duhet marrë mënjëherë. Duhet të vazhdojë distancimi fizik të respektohet nga qytetarët dhe të zbatohen masat e higjienës personale. Nëse bëhet fjalë për 8 raste të reja nuk përbën asnjë problem për t’u kontrolluar nga sistemi shëndetësor shqiptar, se janë të papërfillshme. Po njëherazi me këto masa po ndodhin dy fenomene, një psikozë frike e pandemisë dhe nga ana tjetër pandemia ekonomike që po godet mijëra njerëz që po rrënon qindra e mijëra biznese të vogla, mijëra të vetëpunësuar shqiptarë që ushtrojnë zejtarinë, mijëra të punësuar në bujqësi që vuan për shkak të kufizimit të lëvizjes së automjeteve të shpërndarjes”, deklaroi Vasili.
Vasili tha se kufizime janë politike dhe i shërbejnë paranojave të kryeministrit. “Asnjë shifër dhe asnjë fakt nuk i jep të drejtë atij. Sot publikohet që pozitiviteti i shifrave është shumë nën 5%, cilat janë pra arsyet shkencore, sugjerimet ku bazohen që mbajnë kufizime me fasha orare të pa dëgjuara në Europë. Ky qëndrim arbitrar duhet të marrë fund. I nderuar kryeministër çdo pushtet mbaron shpejt por këto masa arbitrare nuk harrohen se kanë rënduar familjet shqiptare. Tërhiqu nga ky arbitraritet”, i bëri thirrje kryeministrit Rama, nënkryetari i LSI.
VIDEO/Deklarata e plotë e Petrit Vasilit për masat kufizuese të qeverisë “Rama”:
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/650650718828905/