Vasili: Rama thotë se fajin e ka Europa dhe opozita për negociatat

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat i cilësoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për negociatat, si qëndrime jashtë realitetit. Vasili tha se Edi Rama po fajëson BE-në për mos hapjen e negociatave dhe nuk sheh asnjë problem të qeveria e tij.  “Shqiptarët dëgjuan sot që sipas Edi Ramës fajin për integrimin Europian te ngecur në vend të Shqipërisë e paska Evropa, e cila ka probleme mes vetes, Europa e vlerave të mëdha demokratike, Europa ku ne aspirojmë të hyjmë, Europa, për të cilën ne po bëjmë gjithçka për të hyrë, qenka ai problemi dhe nuk është Edi Rama. Njëherazi, është opozita shqiptare dhe jo Edi Rama”,- tha Vasili.

Numri dy i LSI deklaroi se veç BE-së Edi Rama sheh si problem opozitën dhe jo keqqeverisjen e tij. “Qenka problem opozita shqiptare që nuk hapen negociatat dhe nuk qenka Edi Rama që vendos kriminelë në Krye të Bashkive edhe kur voton dhe numëron vetëm me partinë e tij. Qenka problem opozita dhe nuk qenkan problem koncesionet kriminale me miliarda, për të cilat flasin të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilët po rrënojnë ekonominë shqiptare dita ditës dhe po e çojnë atë drejt një kolapsi të sigurt. Qenka problem opozita dhe jo krimi i organizuar që është i ulur këmbëkryq, i cili ha e pi me kryeministrin, i cili ndan paratë me kryeministrin, i cili ndan pushtet me kryeministrin dhe me gjithë qeverinë e tij”,- tha Petrit Vasili.
VIDEO/Deklarata e plotë e Petrit Vasilit

SHKARKO APP