Vasili: Rruga Milot-Fier, vjedhja më e madhe e qeverisë “Rama”
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili denoncoi sot projektin e rrugës Milot-Fier si një aferë korrupsioni të qeverisë “Rama”. Në një konferencë për mediat, Vasili u shpreh se në kulmin e krizës ekonomike dhe pandemisë, Edi Rama ka firmosur një projekt të dyshimtë prej 1.2 miliardë eurosh.
“Korrupsioni ka rrënuar ekonominë e vendit. Pandemia ka shkatërruar bizneset dhe në këtë situatë qeveria në vend të mendojë për qytetarët miraton projekte të dyshimta me kosto të fryra. Qeveria do të ndërtojë një projekt ku taksa për kalimin e rrugës kushton më shumë sesa karburanti për kalimin e kësaj rruge”,- tha Vasili.
Vasili u shpreh se kjo grabitje duhet të hetohet nga institucionet e drejtësisë. “780 milion euro të nderuar qytetarë do të thotë 420 milion euro më pak nga 1.2 miliard të qeverisë. Pra qeveria ka kërkuar një koncesion 54% më të shtrenjtë, pra 420 milion euro më shumë, sigurisht për t’i futur në xhepat e saj. Situata rëndohet akoma dhe më tepër sepse dhe në këtë vlerë prej 780 milion euro të mbështetur nga Bashkimi Europian si projekt madhor në nuhatjen e projektit Adriatiko-Jonian për shkakun se një pjesë e projektit ka të bëjë me lidhje rajonale, pra vendet lidhen afër me njëri tjetrin e si të tilla BE mbështet të tilla projekte deri në 30% të kësaj shume që do të thotë afro 300 milion euro të tjera mund të kursehen pasi BE ofron grante, pra para që nuk duhen kthyer apo kredi shumë të buta e në totalin e saj nga 1.2 miliardë euro që qeveria do ta bëjë këtë rrugë, do të grabisë nëpërmjet koncesionit do të ishim në një rrugë që do të kushtonte afërsisht 150 apo 500 milion euro”,- deklaroi nënkryetar i LSI.