Vasili thirrje shqiptarëve: Sovraniteti në rrezik, Rama merr emigrantët e paligjshëm të Anglisë
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar i shqetësuar, ku thotë se sovraniteti është në rrezik nga vendimi i qeverisë “Rama 3”, sipas tij për të marrë dhe emigrantët e paligjshëm të Anglisë.
Thirrja e tij është që të gjithë shqiptarët në vend duhet që të ngrihen në këmbë për të mbrojtur Sovranitetin.
“Politika shkombëtarizuese e Ramës nuk ka të ndalur. Deviza e tij është: të kthejë Shqipërinë në një ferr për shqiptarët dhe në parajsë për emigrantët e paligjshëm dhe çdo lloj të huaji tjetër që nuk ka zë, nuk ka gojë, dhe nuk ka vote”,-shkruan Vasili në facebook.
Postimi i plotë
Për mbijetesen e tij politike, Edi Rama është i gatshëm për gjithçka. Mediat angleze zbulojnë skandalin! Edi Rama do të marrë emigrantët e paligjshëm që hyjnë në Angli që të qëndrojnë në Shqipëri, deri sa të merret vendimi përfundimtar për ta.
Edi Rama që detyron qindra mijëra shqiptarë të largohen nga vendi, shqyen dyert për gjithëçfarë refugjatësh anë e mbanë globit.
Politika shkombëtarizuese e Edi Ramës nuk ka të ndalur. Deviza e tij është: te kthejë Shqipërinë në një ferr për shqiptarët dhe në parajsë për emigrantët e paligjshëm dhe çdo lloj të huaji tjetër që nuk ka zë, nuk ka gojë, dhe nuk ka vote.
Këto janë ditë kritike për vendin, që qeveriset nga armiku më i egër dhe i pamëshirshëm i shqiptarëve Edi Rama. Përballë këtij shkombëtarizimi, që nuk e kanë realizuar as pushtuesit më të egër të gjithë shqiptarët duhet të jenë bashkë.
Asnjë diferencë politike, fetare, krahinore dhe idesh nuk mund të na ndajë përballë një rreziku të tillë që i kërcënohet Sovraniteti. Të gjithë në këmbë për të mbrojtur Sovranitetin.