Vasjari: Tre gabimet e KED dhe pse i jap të drejtë Metës
Analisti Arian Vasjari, i ftuar në Real Story të Sokol Ballës në News 24, shprehet se betimi te Presidenti nuk është vetëm një akt simbolik, ndërkohë që të vetmen zgjidhje për ngërçin e krijuar ai shikon një pakt politik, por asnjëherë një zgjidhje kushtetuese, apo ligjore.
Duke u treguar kritik me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për shkak të mungesës së transparencës por edhe veprimeve të kryera me dërgimin e listave të Presidenti dhe në Kuvend, ai ka vënë në dukje se kjo krijon shumë dritëhije në këtë proces.
“Unë nuk jam dakord me ministren Gjonaj, kur thotë se betimi është thjesht një akt procedural. Është shumë më i madh, nuk është thjeshtë simbolik. Unë mendoj se ai është akti më sublim që bëhet për detyrën që do të marrë përsipër”, u shpreh Vasjari.
Po ashtu, ai vuri pikëpyetje edhe mbi tre aspekte, që sipas tij kanë krijuar dritëhije në këtë proces, duke nisur nga mosrespektimi i radhës, mungesa e transparencës dhe publikimi i Vorpsit nga KED. “Mosrespektimi i radhës, unë mendoj se nocioni radhë është nocion kushtetues, është i qartë, është në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe them se KED ka gabuar në vështrimin tim se nëse kjo çështje nuk do të kishte asnjë vlerë, unë them pse nuk ia dërgoi kuvendit listën të parën dhe presidentit të dytën. Por them që radha është një nga argumentet ku Presidenti i Republikës bazohet dhe unë i jap të drejtë, sepse nuk shoh në horizont mundësinë që të shikoj një zgjidhje afatshkurtër. Mungesa e transparencës për publikimin e procesverbaleve është një problem sepse cenon një parim themelor, për vetë KED, por edhe për reformën në drejtësi. Unë personalisht nuk jam i gatshëm të ngre akuza të drejtpërdrejta, sepse nuk kam prova ndaj mazhorancës, por kjo procedurë ka shumë hije brenda dhe unë nuk do të doja kurrë t’i kisha këto hije. Po ashtu, publikimi i Arta Vorpsit, në vështrimin tim ka problemet e veta. Ajo është një vajzë e zonja për atë që ka marrë përsipër të bëjë, por problematikat e kësaj procedure, ky qëndrim me shumë hije i KED, gjithë komplikimet që krijoi pastaj, e kanë penalizuar Vorpsin”- tha Vasjari.