Vaksinimi i detyrueshëm, Petrit Vasili: Kryefjala e qeverisë, detyrim dhe penalizim
Politikë E Enjte, 9 Shtator 2021 14:41
Nga Petrit Vasili:
Ndërgjegjësim dhe edukim, JO dhe jo detyrim dhe penalizim!!
Kryefjala e qeverisë për valën e re të Pandemisë është vetëm: Detyrim dhe Penalizim!
Detyrimi është shfaqur në këtë një vit e gjysëm si një provë e vazhdueshme, Dështimi.
Detyrimet, penalizimet,mbylljet ekstreme dhe kufizimet janë përdorur vetëm për të fshehur mungesën e përgaditjes dhe organizimit për të përballuar situatën.
Në asnjë rast qeveria nuk ka guxuar të bëjë një analizë objektive profesionale së çfarë rezultati konkretisht kanë sjellë detyrimet dhe kufizimet ekstreme.
Përveç butaforisë së autoblindave dhe ushtrisë në rrugë dhe dhjetra mijëra gjobave asgjë tjetër nuk kanë sjellë detyrimet.
Kryefjala tjetër ka qenë fshehja e të dhënave përfshirë këtu të infektuarit dhe vdekjet nga Covid.
Asgjë nuk është bërë për ndërgjegjësimin e qytetarëve duke i trajtuar ata thjesht si turmë.
Kjo aleancë e humbur me qytetarët për shkak të mungesës së trasparencës dhe detyrimeve vulgare dhe pa kuptim ka shkaktuar vetëm rëndimin e pandalshëm të situatës.
Ndërgjegjësimi është fuqia më e madhe e suksesit.
Askush nuk mund të bindet nga detyrimet brutale dhe të pjesshme pasi të gjitha kategoritë e qytetarëve të vaksinuar apo të pavaksinuar janë të detyruar të përzihen me njëri-tjetrin në përditshmëritë e tyre.
Përdorimi i vaksinave të certifikuara dhe me shumicë të pacertifikuara veçse shtojnë mosbesimin dhe rrënojnë ndërgjegjësimin.
Asnjë veprimtari kombëtare e kordinuar e Edukimit dhe Promocionit Shëndetësor nuk zhvillohet bile as që flitet e nuk përmëndet fare dhe ky është një dëm i pallogaritshëm i shëndetit publik.
E gjithë qasja detyruese kufizuese shtrenguese e penalizuese është vetëm një qasje dështake dhe asgjë më shumë.
Ndërgjegjësim dhe edukim dhe JO detyrim dhe penalizim!!