Vdekja e 7-vjeçares në Himarë, Alibeaj: Ngjarje që tregon se qeverisë nuk i intereson jeta e qytetarëve
Kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kritikuar kryeminsitrin Edi Rama për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën 7-vjeçarja në plazhin e Potamit në Himarë pasi u godit nga skafi.
Në një postim në Facebook, Alibeaj shkruan se jeta në Shqipëri nuk ka më vlerë, dhe se ngjarja e Himarës është dëshmi se qeverisë nuk u interesojnë më qytetarët.
Postimi i Enkelejd Alibeajt:
Tragjedia e familjes që humbi dje vajzën e mitur është ende një plagë e hapur për të gjithë shqiptarët, që përtej dhimbjes së papërshkruar për ngjarjen që i ka lënë të shokuar, u duhet të përballen dhe me cinizmin dhe arrogancën e kryeministrit.
Në një vend ku jeta nuk ka më asnjë vlerë, kur sigurinë e cenojne ata që kanë për detyrë ta ruajnë, cdo shkarkim nga detyra në hallkat lokale të përgjegjësisë shtetërore nuk është zgjidhje e problemit. Përgjegjësia kryesore mbetet e atyre që kanë krijuar dhe mbajnë në këmbë sistemin ku të inkriminuarit dhe të korruptuarit e niveleve të ulëta reflektojnë asgjë më shumë se sjelljen e shefave të tyre: arrogancë, papërgjegjshmëri dhe pandjeshmëri ndaj njerëzve të thjeshtë dhe pa pushtet.
Në krizën e përgjithshme që ka përfshirë Shqipërinë, ngjarja e djeshme është dëshmi e qartë se kësaj qeverie nuk i intereson jeta e qytetarëve. Përballë mungesës së vullnetit, paaftësisë dhe arrogancës së pushtetit qëndrojnë qytetarët. Të cilët në shumicë dërrmuese sot kërkojnë largimin e kreut të këtij sistemi që po i bën jetët e pasigurta duke bërë që mijëra shqiptarë ta shohin të ardhmen larg vendit të tyre.