Vdekja e aktorit Boçi/Presidenti Meta: Stigmatizoi me talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e aktorit të humorit Fuat Boçi. Kreu i shtetit shprehet se pavarësisht ikjes, aktori nga Fieri do të mbahet mend për shkak të trashëgimisë që ka lënë. ”Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave”,-shkruan ndër të tjera Presidenti në facebook.
Mesazhi i plotë
Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.
Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte!