Veliaj: Askush nuk do lejohet të zaptojë shkolla, kopshte, çerdhe e konvikte
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se pas rindërtimit të konvikteve qe ishin zaptuar prej vitesh në kryeqytet, do të vihen vetëm në funksion të studentëve. Veliaj shtoi se Bashkia e Tiranës ka qenë më solidarja, por nuk do të lejojë më zaptime as të konvikteve, as të shkollave, kopshteve apo çerdheve, të cilat do të jenë vetëm në funksion të fëmijëve.
“Disa qytetarë më thonë: Kryetar, të futemi tani aty ku kemi qenë më përpara, se mbaroi godina e re? U them me shumë dashamirësi: Kjo bashki ka qenë bashkia më solidare në historinë 103-vjeçare si kryeqytet, ka dhënë një pafundësi fondesh për strehim social, kredi të buta, banesa sociale, bonus qiraje, por në 2023-shin të rikthehesh prapë të pushtosh konvikte, të pushtosh kopshte, shkolla, çerdhe, sikur nuk shkon. Ndaj, thirrja ime për të gjithë banorët është: Ne rizaptim të Universitetit Bujqësor, ku sa i mbaruam konviktet, nuk do lejojmë. Konviktet janë për studentët, kopshtet për kalamajtë, shkollat janë për nxënësit, çerdhet janë për bebushat. Për të rriturit kemi bonus qiraje, ta paguan bashkia qiranë nëse nuk ke mundësi, të japim një kredi të butë, të japim banesë sociale, por jo më zaptim”, u shpreh ai.
“Detyra jonë nuk është të bëjmë politikë për 5 vota, as t’i shtyjmë vendimet meqë është fushata”, tha Veliaj, ”çfarë është vendim i drejtë do bëhet tani”. Ai përmendi dhe hapësira të zaptuara nga privatë për lokale brenda shkollave e madje edhe kopshteve, të cilat tha kryebashkiaku, me ndërtimin e godinave të reja, nuk do lejohen më të ushtrojnë aktivitet brenda perimetrit të institucioneve publike.
“Është vendim i drejtë që kopshti te “Myslym Shyri” të çlirohet dhe do çlirohet javën tjetër, se do fillojnë punimet per kopshtin e ri. Isha tek shkolla në Vaqarr – m’u në derë të shkollës, kishin bere lokal. 30 vjet i re qylit me lokal. Tani po bëhet shkolla e re. S’mund të rrijë çibani në oborr të shkollës, m’u në derë. Është prishur sot. Ne duhet t’u shërbejmë të gjithëve. Kur u shërben njerëzve, ka edhe disa që nuk të pëlqejnë. Jam i sigurt, ai i lokalit në Vaqarr as nuk na pëlqen, por për 1000 familje që çojnë fëmijët në një shkollë të re, ku më në fund çlirohet dera, fiton hapësirë dhe frymëmarrje, kalamajtë s’duhet të futen në lokal për të shkuar në shkollë do e vlerësojnë. Për sa kohë u shërbejmë të gjithëve, nuk duhet të shqetësohemi edhe nëse nuk na pëlqejnë të gjithë”,-theksoi kreu i Bashkisë.