Veliaj: Bregu i Lumit, kartolina më e bukur që tregon se çfarë bëjnë socialistët kur vihen në krye të punëve

Kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt 14 Majit, mbolli disa pemë me banorët e Njësisë 4 në kryeqytet, ndërsa tha se zona e njohur si ‘Bregu i Lumit’, sot është kartolina më e bukur, që tregon se çfarë mund të bëjnë socialistët kur vihen në krye të punëve.

“Në qoftë se ka një gjë që edhe kundërshtarët tanë e pranojnë janë çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave dhe hapësirat për fëmijët. Është gjëja më e mirë që kemi bërë dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Ne i kemi bërë këto punë edhe kur ishim në opozitë. Ne ishim në opozitë në 2015-ën kur e filluam fushatën dhe si pjesë e fushatës sonë vajtëm të mblidhnim plehrat përballë Fakultetit të Mjekësisë, se në këtë qytet nuk pastrohej asgjë. Sot sikur tre minuta të vonohet makina e plehrave, bëhet nami, dhe me të drejtë sepse e kemi ngritur stekën. Nuk na pengoi të qenit në opozitë që të pastronim, nuk na pengoi të ishim në opozitë të mbillnim pemë. Ne edhe në opozitë mbillnim pemë, edhe tani mbjellim pemë se kemi vendosur të mbjellim pastërti, gjelbërim dhe oksigjen. Jo sherr, jo ndasi, jo përçarje”, tha Veliaj.

Për koalicionin e çiftit Berisha-Meta, Veliaj tha se non-gratat dhe fuksat e lagjes, që nuk ndërtuan dot një shkollë, një kopësht apo një çerdhe, nuk mund të bëjnë dot lagje të tëra, siç bën Partia Socialiste e Shqipërisë. Veliaj tha se teksa të gjitha sondazhet e shpallin Partinë Socialiste fituese, për Ilir Metën thonë se është njeriu më i urryer në Shqipëri.

“Jemi në një situatë ku, Bregu i Lumit dhe 5 Maji, nuk është fundi i botës. Në fakt me urën e re që e lidh me Kamzën, është hyrja për botën që përfaqëson Tirana, është fillimi i civilizimit, i qytetarisë, i urbanizimit. Kjo është diferenca e madhe. Kemi sot një kryeministër që e respektojnë të gjithë. Kemi sot një Shqipëri që është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Ndërkohë, mbrapa, kemi njërin që nuk shkon dot deri në Rinas. Çdokush mund të shkojë në Rinas, përveçse nëse e ke emrin Sali Berisha. Këta nuk na çojnë dot deri në Rinas, do na çojnë këta në Bruksel dhe në Uashington? Është bashkuar Saliu me fuksin e lagjes, me sigurimsin, me atë 2-lekëshin që spiunonte njerëzit kur vinin antena, spiunonte shokët kur shanin te radha e tollonit.

Të gjitha sondazhet për Ilir Metën thonë që është njeriu më i urryer sot. Dhe për sa kohë që janë bërë bashkë njerëzit që i kanë bërë më shumë keq Shqipërisë, sot edhe demokratët duhet të bashkohen me ne për të shkuar vetëm përpara. Miq ata kishin në dorë jo vetëm Tiranën, e kishin në dorë ata t’i bënin gjërat falas. Ju kujtohet çfarë bënë falas? Ju kujtohet torta e Pavarësisë, me legenë, me govatë, me kaci, me sapllakë? Ajo ishte mënyra sesi këta tregonin ku ka mbërritur Shqipëria 100 vjet shtet. Ndërkohë, për ne Shqipëria është më shumë se kaq, nuk është një tortë falas që na fëlliq të gjithëve. Është një arsim cilësor, është një çerdhe, është një kopsht, është një shkollë”, tha Veliaj.

SHKARKO APP