Veliaj dhe Ibrahimaj takim me banorët e Njësisë 5: Le të protestojnë, fokusi ynë është puna
Përpara miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm lokal, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, vijuan konsultimet me qytetarët në çdo njësi me Njësinë 5. Duke folur për investimet e mëdha që prekin këtë njësi, por dhe ato që janë planifikuar për vitin e ardhshëm Veliaj tha se fokusi te puna dhe bashkëpunimi me njerëzit janë çelësi i suksesit.
“Ne nuk jemi ndarë në të një majtë dhe të djathtë. Ne jemi ndarë në një grup që do të punojë dhe beson që përmes punës, bashkëpunimit, bashkimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin vendi ecën përpara dhe një filozofi tjetër që, përmes dhunës, sharjes, përçarjes, djegies së gomave, bllokimit vendi ecën përpara. Nuk më rezulton kështu. Le të protestojnë pa fund, le të djegin të bëjnë çfarë të duan, le të vijnë me pistoletë, ne do t’i bëjmë lodrat.
Le të protestojnë, të bëjnë çfarë të duan, le të përçahen dhe të bllokojnë, ne do e bëjmë Parkun Olimpik dhe e bëmë. Le të bllokojnë dhe të djegin goma për Astirin ne do e bëjmë Astirin sepse sot te Njësia 5 hyhet më kollaj, sepse ka një nga akset kryesore të rrugës që e lidh edhe me juglindjen, e lidh edhe me Farkën e lidh edhe me zonën nga del nga Tirana në drejtim të lindjes, e lidh me autostradën e madhe, me Durrësin që pastaj vazhdon nga veriu në jug”,-u shpreh Veliaj.
Ministrja Ibrahimaj tha se Tirana është sot një qytet i transformuar falë vizionit dhe punës së kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. ”Nuk na shkonte mendja që Tirana mund të bëhej ndonjëherë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe të kishte koncerte, festivale, evente, ekspozita. Të kishte përditë diçka ku ti jo vetëm të kaloje kohën por dhe të mbusheshe me pozitivitet. Kjo është Tirana e Erionit dhe ekipit të Erionit që unë uroj që të vazhdojë të jetë e tillë”.