Veliaj dhe Kosova prezantojnë strategjitë për biznesin, me një shtrëngim duarsh
Erion Veliaj dhe Halim Kosova kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin dhe kanë lënë për një moment akuzat dhe deklaratat e fushatës.
Kanë qenë disa momente përpara se Veliaj të ngjitej në skenë për të prezantuar programin e tij në konferencën “Sfidat dhe mundësitë për Tiranën”, ku dy rivalët për kryetar bashkie mes buzëqeshjeve shkëmbyen disa fjalë.
Madje kandidati i djathtë i dha një këshillë rivalit të tij politik në lidhje me mikrofonin, me të cilin në minutat e para të prezantimit të platformës së tij pati edhe disa probleme të vogla teknike.
“Mbaje mikrofonin afër se mezi dëgjohesh, që ti përcjellësh qartë mesazhet”, mësohet t’i ketë thënë Halim Kosova rivalit Veliaj. Ndërsa ky i fundit i ka thënë “faleminderit”
Po ashtu Veliaj ka shtrënguar duart edhe me deputeten e PD-sw, Jorida Tabaku. Ndërsa Kosova ka shkëmbyer edhe një përqafim me Arbjan Maznikun.
Kandidatët për Bashkinë e Tiranës janë mbledhur për herë të parë së bashku këtë të martë, në një aktivitet të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, me qëllim prezantimin e strategjive të tyre për biznesin.
I pari që ka marrë fjalën ka qenë kandidati demokrat, Halim Kosova, i cili ka deklaruar se për strategjinë e tij po punon me menaxherët më të mirë, të huaj e ndërkombëtarë.
“Po flas me menaxherët më të mirë, vendas e të huaj, për strategjinë ekonomike. Përqendrimi në bashkinë e ardhshme do të jetë si të hapen vende të reja pune. Ndërkohë, ulja e taksave do të jetë 30 për qind, pasi aq e lejon ligji, ndërsa do të ofrohen miliona dollarë fond garancie për të financuar bizneset”, ka thënë Kosova.
Mjeku i njohur ka vlerësuar se duhet të lehtësohen bizneset, si rruga e vetme për rritjen e ekonomisë. Ai ka shtuar më tej se bashkia e re do të ndërtojë stacionin multimodal, që sipas tij do t’u shërbejë qytetarëve, ndërsa ka premtuar edhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Më pas, doktor Kosova ia ka lënë vendin kandidatit të majtë, Erjon Veliaj. “Strategjinë që ka funksionuar në qeveri do ta ushtroj edhe në Bashkinë e Tiranës. Iniciativa të suksesshme pranë qeverisë, si Këshilli Ekonomik, apo Këshilli i Punës janë thelbësorë për bashkinë”, ka deklaruar Veliaj.
Ish-ministri i Mirëqënies Sociale ka premtuar se brenda 100 ditëve të para Tirana do të ketë një plan zhvillimi konkret, që do të hartohet nga administrata e re e bashkisë.
Veliaj ka shtuar më tej se, në kryeqytet ka potenciale për modernizimin e tij dhe për zgjidhjen e problemeve parësore, që kanë të bëjnë me trafikun, ujërat e zeza, etj.