Veliaj dhe Kushi me drejtorët e shkollave në Tiranë: Hyjmë në histori si viti ku hapim 10 shkolla të reja

27 shtatori do ta gjejë Tiranën me 10 shkolla të reja, të rindërtuara nga e para. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, zhvilluan një takim me drejtuesit e shkollave në kryeqytet, ka deklaruar se ky vit i ri për arsimin parauniversitar do të hyjë në histori sa i përket investimit në infrastrukturën shkollore në Tiranë.

“Kur mendoj vitet e para në bashki, hapëm vetëm shkollën “Servete Maçi” si ndërtesë e re dhe na dukej një gjë shumë e madhe. Tani, me shkollat që hapim në shtator, do hapim edhe katër të tjera në tetor, kurse pjesën tjetër në Janar, besoj se do hyjmë në histori si një ditë ku e kthyem fatkeqësinë e tërmetit në mundësi për të bërë shkolla,” u shpreh Veliaj.

Ministrja Evis Kushi e vuri theksi te standardet me të cilat po ndërtohen shkollat e reja, teksa vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës. “Për ta përmbushur sa më mirë misionin tonë për një arsim cilësor, ne si ministri e vlerësojmë shumë bashkëpunimin me Bashkinë, komunitetin, prindërit dhe gjithë shoqërinë. Ky është një mision që kërkon sinergji nga të gjitha palët, prandaj jam shumë e kënaqur që Bashkia e Tiranës është një mbështetje shumë e rëndësishme në punën tonë të përditshme.”

SHKARKO APP