Veliaj dhe Manastirliu: PD dhe LSI e kishin qytetin dhe nuk ndërtuan një shkollë. PS nuk i ndan njerëzit
Njësia 9 ishte ndalesa tjetër e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se socialistët e mbajnë kokën lart për të gjitha gjërat e mira që kanë bërë për qytetin dhe për vendin. Ai nënvizoi se kundërshtarët politikë po luftojnë njëri-tjetrin brenda llojit, ndërsa PS e ka synimin te zgjedhjet e radhës, si e vetmja forcë që sjell transformim në jetesën e qytetarëve.
“Jemi si dy botë, që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën”, tha Veliaj. “Ne ndoshta s’i kemi bërë të gjitha, por nuk ka vend ku s’kemi venë dorë! Kush kalon te Rruga e Barrikadave do të shohë shkollën e re “Sami Frashëri”! Ilir Meta e ka mbaruar gjimnazin aty, edhe Jorida po aty, madje edhe Luli, por me sa duket, nuk qenka shkolla. Si thonë tironsit: Ca janë me të thënme, ca janë me të dhënme!”, ironizoi Veliaj. “Ata le të thonë çfarë të duan, por unë di t’ju them këtë: Saliu e Luli e kishin qytetin, e kishin të dy bashkë, po nuk ndërtuan një shkollë! Ndërkohë, ne vetëm vjet hapëm 20 shkolla, do të hapim edhe 14 këtë vit, përfshirë edhe “Sami Frashërin” tonë”, tha ai.
Veliaj shtoi se sa herë qeveris Partia Socialiste, gjërat shkojnë mbarë. “Jemi dy filozofi, dy ideologji të ndryshme, por jemi një racë. Shqiptarë ata, shqiptarë edhe ne. Ka vetëm një diferencë: Kur qeverisim ne, jeta bëhet më e mire edhe për ta, sepse ne nuk i ndajmë njerëzit, nuk i diskriminojmë. E mbani mend fushatën e vjetshme të tyre? Një parodi e vitit ’92. I patë si hipnin mbi kofanot e makinave dhe xhironin gomat? Nuk e drejtonte Saliu fushatën, por Luli me këta të rinjtë. Por, në atë parti ajo filozofi është ngjizur, sherri dhe shamataja. Kurse ne, si Parti Socialiste duhet të flasim me gjuhën e 2023”, nënvizoi ai.
Kryebashkiaku kujtoi edhe kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Petrit Vasili, duke bërë një krahasim të spitaleve sot me spitalet dje. “Imagjinoni sikur të vazhdonim me Petrit Vasilin ministër! Mirë është të mos të të bjerë fatkeqësia, por kur vjen, kë do doje të kishe në krye të ministrisë, kur qe nevoja për tërmetin apo pandeminë? Ata që i kishin spitalet me furnellë vajguri e batanije me vete, apo spitalet tona? Ne i menaxhuam në mënyrë të suksesshme, sidomos Ogerta që ka qenë në frontin e parë, si pandeminë, edhe tërmetin, fatkeqësi që s’i shkaktoi qeveria. Kurse ata i shkaktuan fatkeqësi si Gërdeci dhe 21 Janari”, tha ai.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se transformimi nis që në Tiranë, me të cilin sot krenohemi të gjithë si Kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Ndonjëherë harrojmë si ka qenë Tirana dhe si u gjet Tirana kur Erion Veliaj erdhi në krye të saj. Sot krenohemi që është Kryeqyteti Europian i të Rinjve, me kaq shumë aktivitete, me kaq shumë atraksione, me kaq shumë vende ku ti mund ta shpenzosh kohën tënde, duke përmirësuar cilësinë e jetës. Të gjithë e dimë dhe po e shohim, edhe njësia tonë – duket e vogël, por në fakt është në zemër të Tiranës, dhe përpos zemrës së Tiranës kap edhe damarët kryesorë të kryeqytetit, sesa shumë ka ndryshuar. Ne e shohim në Njësinë 9, por edhe në të gjithë Tiranën, sa shkolla janë bërë, sa kopshte janë ndërtuar, sa çerdhe janë hapur dhe këto nuk janë bërë as me shkop magjik, as me formula çudibërëse. I bëri Erion Veliaj, me ekipin e tij, me mbështetjen e kryeministrit Rama,” u shpreh ajo.