Veliaj: Do jem në Pragë për Ukrainën, për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga lufta ruse

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri mbylli mbrëmë edicionin e 17-të të tij, me një dedikim të veçantë për luftën në Ukrainë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij në ceremoninë përmbyllëse shprehu mirënjohjen për drejtuesit e festivalit, të cilët e kanë kthyer zonën e Kinostudios me Akademinë e Filmit Marubi në një pol të rëndësishëm kulturor.

“Këtu jemi në Kinostudio, të cilën e kam pasur ëndërr të jetë një qendër graviteti e qytetit, por të tillë e bën fakti kur ndodhin aktivitete. Ju falenderoj për këtë festival! Shkolla Marubi është kthyer në një pol edhe para se të vinte autostrada, edhe përpara se të vinte sinjalistika, edhe përpara se të vinte ujësjellësi dhe ju jam shumë mirënjohës për këtë. Jam shumë i bekuar sot që keni vendosur t’ia dedikoni festivalin një ngjarjeje që po ndodh shumë pranë realitetit dhe historisë tonë, siç është kauza e Ukrainës”.

Nga ana tjetër, Veliaj u shpreh se Ukraina dhe procesi i rindërtimi i pasluftës do të mbledhë në Pragë kryetarë bashkish nga e gjithë bota, për të dhënë ndihmën e tyre konkrete në këtë moment të vështirë.

“Të hënën do të takoj Vitali Klitçkon [kryebashkiaku i Kievit] në Pragë, ku kemi krijuar një koalicion me kryetarë bashkie. Tirana është bashkia simotër e Bashkisë së Kharkivit. Kharkivi, siç e dini, është qyteti që po bombardohet më shumë për momentin. Kemi filluar që tani të mendojmë për pjesën e rindërtimit atje. Bashkia e Tiranës ka kaluar një buxhet për të ndërtuar kopshte, shkolla dhe çerdhe në Kharkiv; pra, në zonën më të goditur nga sulmet dhe agresioni rus. Në Pragë do të kemi një konferencë për të gjithë kryetarët e bashkive, që, ashtu siç Tirana vendosi të japë disa fonde, të kemi bashki të tjera që marrin përsipër rindërtimin në qytete të tjera ukrainase”.

SHKARKO APP