Veliaj: “Do të fillojmë me lirimin e territorit të Kalasë. Ajo s’mund të jetë kafene”

 

Në vazhdën e aksionit për lirimin e hapësirave publike, Bashkia e Tiranës do të lirojë edhe territorin e Kalasë së Petrelës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot nga Petrela, ku prezantoi administratorin e kësaj njësie, Sokol Kupi, se komunitetit do t’i kthehen asetet publike dhe se nuk mund të ketë privatizim të tyre.

“Në Petrelë do të fillojmë me lirimin e territorit të Kalasë. Nuk mund të kemi privatizim dhe kafeneizim të aseteve publike dhe monumenteve të kulturës. Kalaja e Petrelës nuk mund të jetë përjetësisht kafja e ish-kryetarit të komunës, nuk mund të vazhdojë kështu. Është e kotë që ne përpiqemi të lirojmë trotuaret apo rrugicat e Tiranës nëse nuk lirojmë dot Kalanë e Petrelës”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj, duke nënvizuar se për Bashkinë e Tiranës është e rëndësishme të ketë nën kontroll pronat e veta publike, turistike a kulturore.

Lidhur me këtë, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se është shumë e rëndësishme që bashkia të ketë nën kontroll territorin dhe të dijë sa tokë publike ka në dispozicion, si dhe asetet kulturore e artistike të saj. “Në vijim të përpjekjeve tona për kontrollin e territorit, kemi pasur disa ndërhyrje për ndërtime të paligjshme në zonën e Petrelës. Me rikonfigurimin e ri, edhe njësitë administrative do të kenë punonjës të INUV, të Policisë Bashkiake, që do të jenë 24 orë në 7 ditë të javës në kontroll të territorit”, theksoi Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku i Tiranës kërkoi inventarizimin e të gjitha nevojave që ka zona, si dhe shprehu nevojën që për projektet prioritare të merret mendimi komunitetit. “Është e rëndësishme të bëjmë një listë investimesh, pastaj komuniteti do të vendosë për prioritetet”, u shpreh ai. Veliaj vuri në dukje nevojën e promovimit të zonës duke organizuar panaire për produktet bujqësore, merkatot e fermerëve, si dhe promovimin e agro-turizmit apo futjen e Petrelës si një nga itineraret e turistëve që vijnë në Tiranë.

Ai kërkoi që të mos ndërpritet asnjë nga shërbimet bazë si dhënia e dokumentacioneve, certifikatave, ndihma ekonomike apo pagesa për personat me aftësi të kufizuar. “Administratori do të ndjekë me rigorozitet hapjen e shkollave. Është e rëndësishme që të përfundojmë punimet e nevojshme infrastrukturore në shkolla apo institucione të tjera arsimore e për t’u siguruar që të mos ketë asnjë ndërprerje të shërbimeve që ofrohen në zonën e Petrelës”, deklaroi Veliaj.

Në fund, kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga administratori i Petrelës që të bëhet maksimumi për pastrimin e territorit dhe të ftohen qytetarët që t’i bashkohen aksionit të pastrimit në 4 shtator.

 

SHKARKO APP