Veliaj: Do të gjelbërojmë çdo hapësirë të lirë të Tiranës
Kryeqyteti do të ketë tre parqe të mëdha për banorët e saj, Dajtin, Liqenin e Farkës dhe Liqenin e Tiranës. Gjatë dëgjesës së sotme me banorët e njësisë nr. 9 në zonën e Don Boskos, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se do shfrytëzohet çdo hapësirë e lirë për ta kthyer në një hapësirë të gjelbër.
“Plani për Liqenin e Tiranës është të rikuperojmë brenda një viti të gjithë Kopshtin Zoologjik duke e kthyer në një kopësht modern, në mënyrë që bashkë me Kopshtin Botanik dhe Liqenin e Tiranës të krijohet një hapësirë fantastike për qytetarët”, deklaroi Veliaj. “Do të kthehen në zona të shkëlqyera për të kaluar fundjavën, por edhe për ata që duan të merren me agroturizëm”, vijoi ai, duke iu përgjigjur shqetësimit të qytetarëve për mungesën e hapësirave e parqeve.
Gjithashtu, ai tha se bashkia e re, nën drejtimin e tij, “do të vijojë bulevardin sipas projektit të Edi Ramës, i cili kishte më shumë gjelbërim”. Në fjalën e tij, kandidati i majtë theksoi se do të punojë në Bashkinë e Tiranës me të njëjtën frymë siç ka punuar në ministri, për të respektuar pensionsitët, veteranët, ish – ushtarakët dhe moshën e tretë.
“A ka mundësi të shtohet ritmi legalizimeve sepse prej katër vitesh kemi ngelur në vendnumëro”, pyeti një banor. Veliaj solli në vëmendje edhe premtimin e bërë nga kryetari aktual, Lulzim Basha, për të hipotekuar 400 pallate, por që në fund nuk realizoi asnjë. “400 palllate dhe mijëra banorë që jetojnë në këto pallate, kanë ngelur peng i një bashkie që ua premtoi, por ku i ka sot? Ndaj, do të bëjmë legalizimet për këto pallate ku jetojnë mijëra familje sepse ky është drejtimi i duhur për këtë proces”, tha ai.
“Kemi shumë problem ndriçimin e rrugëve, janë pus i zi, errësirë. Për të mos folur pastaj për shërbimin urban, që është një stres i vërtetë ikja në punë me autobus. Më shpejt shkon në Durrës se Brenda në Tiranë”, deklaroi një banor tjetër. Duke prekur çështjen e urbanizimit, Veliaj tha se ka ngritur një ekip arkitektësh dhe ubranistësh për të vlerësuar gjendjen. “Në këtë lagje popullsia është trefishuar, por shërbimet kanë mbetur njësoj. Kemi dalë në disa përfundime, se ku është rritur popullsia dhe ku duhet të shtojmë shërbimet”, deklaroi ai.
Për sa i përket çështjes së investimeve, ai tha se me ritmet që ka punuar Bashkia e Tiranës deri tani, i duhen edhe 66 vjet për t’i kryer ato. “Në Tiranë kanë patur një buxhet prej 16 milionë euro për të bërë të gjitha rrugicat dhe rrugët e Tiranës. E dini sa ka shpenzuar? 1.6 për qind. Me këtë ritëm Lulzim Bashës i duhen 66 vjet për të bërë punë sa për 1 vit. Ne nuk kemi 66 vjet për të pritur. Ne kemi edhe 39 ditë për të çuar qytetin në drejtimin e duhur”, u shpreh Veliaj.
Sipas tij, qyteti ka humbur 4 vjet kot dhe më 21 qershor është mundësia për t’í dhënë një përgjigje atyre që nuk bënë asgjë. “Ndaj ju që do të votoni për herë të parë keni një shans fantastik për të thënë se ne ishim aty kur qyteti shkoi në drejtimin e duhur”, tha Veliaj.
Ai shtoi se nuk ka asnjë të djathtë që thotë se dua të jetoj mes plehrave apo që do që fëmija t’i bjerë në pusetë. Prandaj, ai i ftoi të gjithë qytetarët që në 21 qershor të votojnë për drejtimin e duhur.