Veliaj: Do vijojmë me projektin e Teatrit Kombëtar. Transformimin e Piramidës e mbyllim pranverën tjetër
Ndërtimi i Teatrit Kombëtar do të mbyllet brenda vitit 2025. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Tirana ka humbur shumë vite me debatin për teatrin dhe se ai është i vendosur që ta ndërtojë atë.
“Për Teatrin Kombëtar, siç e patë, filluam punën. Po përgatitet terreni përpara se të fillojnë sondat e të bëjnë shpimet për të projektuar themelet. Një debat i cili na mori shumë kohë, një debat që ka filluar që në vitin 1998, 24 vite, ashtu sikurse na mori 17 vjet sheshi “Skënderbej”, filloi në 2000-in, mbaroi në 2017-ën me administratën tonë. Na mori 3 vjet vetëm një segment i Unazës së Madhe te “Astiri”.
Na mori 7 vite “Bulevardi i Ri”. Na mori 2 vite “Pazari i Ri”. Na mori 1 vit këndi i lodrave. Po t’i mbledhësh të gjithë këto vite bashkë, beson se hyn te një moshë 100-vjeçare, po t’i mbledhësh si vite jete që ty të kanë kaluar me këto debate. Duhet të pranojmë që ne jemi kampionë në shumë të mira, por jemi kampionë edhe në një humbje spektakolare të kohës. Kështu që jam i vendosur që ne të vazhdojmë me projektin e Teatrit Kombëtar dhe në këtë afat 2023-205 të mbyllim atë projekt””, tha Veliaj.
Për investimet strategjike në Tiranë, Veliaj foli edhe për transformimin e Piramidës si qëndrën më të madhe të inovacionit në Ballkan. “Pjesë e këtij plani strategjik është Piramida e Tiranës, që ne do ta mbyllim Pranverën tjetër. Një fokus te digjitalizimi: Pra jo vetëm start të barabartë për të gjithë, por një start më të mirë se të tjerët”, deklaroi Veliaj