Veliaj flet për ardhjen e afganëve në Shqipëri: Kemi liruar 5 godina në Qytetin Studenti
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka folur ditën e sotme për ardhjen e afganëve në Shqipëri.
Veliaj tha se është në kontakt të vazhdueshëm me ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ambasadoren Yuri Kim për t’u ofruar komoditet të plotë afganëve që do të vijnë, pa prishur ciklin normal të jetesës. Kryebashkiaku tha se janë liruar 5 godina në qytetin Studenti për akomodimin e tyre.
Me nisjen e universiteteve në muajin tetor, sipas Veliajt do të ofrohen të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta, pasi dhe hotelet në plazhet e vendit do të kenë më pak turistë dhe afganët mund të strehohen atje.
“Jam në kontakt me ministren Xhaçka dhe ambasadoren Yuri Kim për të ofruar lehtësirat që Bashkia e Tiranës do të ofrojë pa prishur rrjedhën normale të saj. Tirana e ka mundësinë të tregojë bujarinë e vet gjatë gushtit dhe shtatorit. Në tetor, me ardhjen e studentëve lirohen hotelet. Para disa muajsh ishim në Bari, kur kujtuam 30 vjetorin e asaj dite. Ishim ne afganë asokohe. Imagjino që dhe italianët të ishin sjellë asokohe me ne duke na hedhur në det, duke u sjell me histerizma. Ishte kryetari Bashkisë në Bari që tha janë njerëz, me mish e me gjak. Për aq kohë sa më parë afganët ishim ne, na shkon në hije. Do të ishte e pamoralshme që një person si unë ika emigrant, të bëja populistin dhe të themi ç’i duam.
Ajo që po ndodh në Qytet Studenti është dhe kanë provimet e mbartura janë në një godinë, ne kemi liruar 5 godina të tjera për të gjitha nevojat. Fëmijët tanë do të jenë krenar nesër që në një krizë globale ne dhamë ndihmesën tonë. Unë besoj që në finale, njerëzit gjykohen nga veprat, e kur jemi gjakftohtë do kuptojmë se cilët ishin në anën e kundërt të historisë dhe cilët ishin aty për ca ‘like’ më shumë. Ky vend duhet të ketë një trashëgimi morale dhe të gjithë qytetarët të hapin zemrën e tyre. Jemi në koordinim të plotë dhe do të ofrojnë pritje dinjitoze pa prishur ciklin dhe ritmin e qytetit”, tha Veliaj në News 24.
KOHA JONË SONDAZH

