Veliaj: Hapim një kapitull të ri për fshatin. Nesër prezantojmë tregun e ri agro-ushqimor, premtim i mbajtur
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se nesër do të prezantojë tregun e parë agro-ushqimor publik, i cili do të jetë në zonën e Farkës. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, Veliaj theksoi edhe se këto janë ditët më të mira për fshatin dhe zonat rurale, ku tha se janë ndërtuar edhe 19 shkolla të reja.
“Sot për fshatrat e Tiranës janë ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë, që pas çlirimit, dhe nesër do shikoni prezantimin e tregut agro-ushqimor në Farkë. Më në fund mbajmë dhe premtimin e fundit për fshatin, të paktën për këtë mandat, kur kishim premtuar edhe shkollat e reja që i realizuam të gjitha.
Vetëm në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja. Kemi bërë gjithsej 19 shkolla në fshat, ndërkohë i fundit premtim ishte tregu agro-ushqimor. Kam një drojë që pavarësisht se ne e prezantojmë për herë të parë dhe inkurajojmë subjektet të vijnë, më rezulton që jemi thuajse 100% të prenotuar, pra edhe subjekte fermerë dhe subjekte tregtare. Do të thotë që do hapim një kapitull të paimagjinueshëm për fshatin dhe për zonat rurale”,-tha Veliaj.