Veliaj: Hapja e dosjeve nis nga 1944 deri më 31 Mars 1991

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj ka njoftuar sot se është gati projektligji i hartuar nga Qeveria për hapjen e dosjeve. Menjëherë pas përfundimit së mbledhjes së qeverisë, Veliaj tha se drafti do ti dërgohet shumë shpejt Kuvendit, ndërsa ka marrë parasysh parimet e Gjykatës Kushtetuese dhe respekton të gjitha ligjet për të dhënat personale. “Kemi draftin e parë konkret për hapjen e dosjeve që do ti dërgohet kuvendit. Së pari përcakton mbledhjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Propozon krijimin e autoritetit të informimit. Projektligji përcakton procedurat e aksesit të individëve që janë të interesuar ose prekur.

Periudha e mbledhjes së dosjeve fillon më 29 nëntor 1944 deri më 31 mars 1991. Ky është një draft i propozuar nga qeveria ka zbatuar parimet e Gjykatës Kushtetuese. Respekton të gjitha ligjet për të dhënat personale. Është i bazuar në ligjin gjerman. Zbaton parimet e Komisionit të Venecias”, deklaroi Veliaj.

Ai sqaroi se propozimi i qeverisë do ti japë fund shantazheve për hapjen e dosjeve, ndërsa projektligji ka implikime financiare nga buxheti i shtetit. “Propozimi ynë vjen në këtë kohë, së pari për të mbajtur një premtim. Për të mbyllur njëherë e mirë lojën e ka kush e ka, të gjithë shantazhin. Projektligji ka implikime financiare, nga buxheti i shtetit”, tha ministri i Mirëqenies Sociale. Veliaj tha se nuk do të ketë dënime kolektive të atyre që kanë punuar në atë kohë, të cilat janë shpallur jokushtetuese.

“Gjykata kushtetuese ka folur qartë dhe thotë nuk mund të kemi dënime kolektive të kujtdo që mund të ketë punuar në atë periudhë. Dënimet duhet të jenë individuale. Çdo institucion duhet të mbajë përgjegjësit e veta”, tha ministri.

SHKARKO APP